Presidentja Osmani nderon nënat e Srebrenicës me Medaljen Presidenciale: Ju jeni bërë zëri i atyre që nuk mund të flasin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja Osmani nderon nënat e Srebrenicës me Medaljen Presidenciale: Ju jeni bërë zëri i atyre që nuk mund të flasin

    Insajderi
    02 June 2025 - 12:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar me Medaljen Presidenciale për Shërbim nënat e Srebrenicës, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

    Në fjalën e saj, Osmani kujtoi masakrën e Srebrenicës, ku mbi 8 mijë burra dhe djem u vranë nga forcat gjenocidale të regjimit të Millosheviqit. Ajo theksoi se shumë nëna nuk kanë një varr ku mund të vajtojnë të dashurit e tyre, por pavarësisht dhimbjes së pafund, ato kanë zgjedhur të ngrehin zërin për drejtësi.

    “Ju jeni bërë zëri i atyre që nuk mund të flasin. Me çdo fotografi që e keni mbajtur në duar, ju keni ruajtur kujtimin e gjallë. Të dashura nëna të Srebrenicës, gjatë mandatit tim si presidente kam nderuar shpeshherë nënat e Kosovës që kanë shndërruar dhimbjen në forcë dhe nuk kanë heshtur kurrë. Sot, në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, kam nderin t’ju dhuroj Medaljen Presidenciale për Shërbim,” deklaroi Osmani.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesja e nënave të Srebrenicës theksoi përpjekjet e tyre për të sjellë të vërtetën përpara botës dhe për të ndërtuar kujtesë kolektive për gjenocidin.

    “Kemi luftuar për rezoluta në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara që gjenocidi të mos harrohet. Nëse kam mbetur pa birin tim, nuk kam mbetur pa krenari. I kemi hapur sytë e botës ndaj dinjitetit tonë njerëzor,” u shpreh ajo.

    Ceremonia vjen në një moment të ndjeshëm historik dhe simbolik, në të cilin Kosova riafirmon solidaritetin me viktimat e gjenocidit në Bosnjë dhe përkushtimin ndaj drejtësisë dhe paqes në rajon.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    28 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark