Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, të afërmit dhe komunitetin e gazetarëve për vdekjen e gazetarit Zijadin Gashi.
“Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale”, ka shkruar ndër tjerash presidentja Osmani.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Zijadin Gashit, gazetarit të përkushtuar, i cili tërë jetën ia kushtoi punës në media. Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe komunitetit të gazetarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Zijadin Gashi!”, ka shkruar Osmani.