
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një video të publikuar nga festa e organizuar në ambasadën amerikane në Prishtinë, Osmani përmendi lidhjen e ngushtë mes dy popujve, duke nënvizuar mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës në momentet më vendimtare.
“Një gjë mbetet kristal e qartë për të gjithë njerëzit e Kosovës: Ne e dimë kush janë miqtë tanë. Ne e dimë kush na qëndroi pranë kur ishte më e rëndësishme: Njerëzit amerikanë kanë qëndruar me Kosovën,” tha ajo.
Ajo e përmbylli urimin me një mesazh të fortë simbolik: “Nga populli më pro-amerikan në botë: Gëzuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”
4 Korriku shënon shpalljen e pavarësisë së SHBA-së më 1776, kur 13 kolonitë britanike në Amerikën e Veriut shpallën ndarjen nga Britania e Madhe. Deklarata e Pavarësisë, e hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson, shënoi fillimin e krijimit të një shteti të ri dhe të pavarur – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.