Analisti i sigurisë Bedri Elezi ka paditur presidenten Vjosa Osmani për shpifje.
Rreth tre muaj më parë Elezi kishe publikuar një shkrim në “Facebook” ku deklaroi se ka dyshime që presidentja Osmani, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV’së Mimoza Kusari-Lila, dyshohet se janë të përfshirë në spiunazh.
Për këtë çështje Osmani reagoi përmes këshilltarit të saj Bekim Kupina. Teksa i quajti shpifje pretendimet e Elezit, ajo iu bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që “urgjentisht të ndërmarrin masa, bazuar në raportet e shumta të institucioneve të sigurisë, të cilat dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të individit Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare”.
Në padinë e Elezit ndaj Osmanit thuhet se ky etiketim nga presidentja ia ka dëmtuar reputacionin atij.
“Përfshirja e këtyre fakteve të pavërteta ka kulmuar me dëmtimin e reputacionit të paditësit si person shumë i respektuar në shoqërinë kosovare për shkak të pozitave shumë të rëndësishme që ushtron si drejtor gjeneral i Qendrës për Siguri Kombëtare në Kosovë”.
Po ashtu, thuhet se Elezit iu ka rrezikuar jeta, pasi ka marrë një sërë kërcënimesh nga postimi i Osmanit.
“Duke pas parasysh këto shpifje dhe etiketime Elezit iu ka rrezikuar jeta e tij dhe e familjes së tij me çka dëshmohet edhe nga komentimet në Facebook të cilat komente kryesisht kanë qenë kërcënuese”.
I njëjti ka kërkuar që të kompensohet me kamatë ligjore 8 % nga e paditura sipas ekspertizës.