Presidentja për largimin e serbëve nga institucionet: Është akt kundër rendit e ligjit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Ballina 5

    Presidentja për largimin e serbëve nga institucionet: Është akt kundër rendit e ligjit

    Insajderi
    05 November 2022 - 18:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës. Osmani e quajti akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit

    Osmani tha se largimi i serbëve, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, ka për synim destabilizimin e veriut të vendit.

    “Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.

    Sipas Osmanit, ky veprim reflekton tërheqje të Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale në Kosovë.

    Ajo tha se pavarësisht së gjithave Serbia nuk do të arrijë të ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës.

    “Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës”.

    Presidentja tha se komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje.

    Ajo u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

    “Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë.

    Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark