Transmetuesi Publik i Kosovës (RTK) nuk kishte ndërmend t’i transmetonte duelet e xhudisteve kosovare në garën e vlefshme për Kampionatin Botëror të xhudos të zhvilluar sot në Antalya, pa presionin e trajnerit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo Driton Kuka.
RTK-ja nuk e kishte në skemën programore të saj transmetimin e dy finaleve të xhudos në kategoritë -52 kilogram dhe -57 kilogram, në të cilat fituan medalje të arta Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Por, Radio Televizioni i Kosovës nuk transmetoi duelet para mbërritjeve në finale të Krasniqit dhe Gjakovës. RTK transmetoi vetëm duelet finale.
E deri tek transmetimi i drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror të këtyre dy dueleve finale të Grand Prix të xhudos në Antalya, erdhi vetëm pas trysnisë së krijuar nga trajneri i përfaqësueses së Kosovës Driton Kuka.
Kuka kritikoi RTK-në për mostransmetim të dueleve të xhudistëve kosovarë, raporton Insajderi.
“Departmenti i medieve i Federatës Botërore sot kur në Antalya garojnë tri garuese Fjolla,Distria e Nora kurse nesër Akili e Kushtrimi më pyeti a është e mundur që mbi 120 shtete transmetojnë garat e këtij niveli e nga Kosova asnjë!? Ku ështē në këtë mes RTK!? Çka duhet ma shumë se medalja e artë Olimpike të kemi vëmendjen për transmetim? Edhe TV tjera asnjë për be nuk po transmeton heronjtë e shtetit tonë”, kishte shkruar Kuka sot, para fillimit të dueleve të xhudistëve kosovarë.
Pasi nuk transmetoi duelet e Gjakovës dhe Krasniqit gjatë fazave çerekfinale dhe gjysmëfinale, RTK vendosi që të transmetonte dy finalet.
Edhe Nora Gjakova e “artë” në Antalya
E për këtë kishte reaguar edhe Kuka në rrjetin social Facebook. Ai kishte thënë se “RTK reflektoi pozitivisht” pas fjalëve të tij.
“Reflektim pozitiv dy koloset tona drejtpërdrejt ne RTK! Distria dhe Nora luftojnë për te artën”, shkroi Kuka në Facebook.
E krejt në fund, Kuka iu gëzua reflektimit të Transmetuesit Publik për transmetimin e meçeve finale të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës. Dy xhudistet kosovare shkruan historinë e Kosovës, duke arritur që të fitojnë për herë të parë dy medalje të arta në një garë të cetme të kampionatit Botëror të xhudos.
“Momentet e fitoreve të Disit dhe Nores në finale! Të arta Distria Krasniqi e Nora Gjakova hera e parë që Kosova fiton dy te arta në Nivelin Grand Prix të Kupave Boterore! RTK reflektoj dhe nuk gabuan që Shqiptarët kudo që jane Live ti shohin heronjtë tonë modern”, tha Kuka. /Insajderi.com