Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se s’kanë qenë të informuar as shefja e tij e as stafi politik lidhur me, siç iu referua ai, ndërhyrjes në biografinë e Jakup Krasniqit, ish-ushtrues detyre i presidentit dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, tek faqja zyrtare e Presidencës.
Kupina këtë e ka thënë me anë të një postimi në profilin zyrtar të tij në ‘Facebook’, duke shtuar se Osmani ka kërkuar masa disiplinore ndaj personit përgjegjës që e ka prezantuar Krasniqin si të akuzuar për krime lufte ndaj njerëzimit në uebfaqen e Presidencës së Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”, thuhet në deklarimin e Kupinës.
“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës”, vijon postimi.
Kupina ka thënë se i kërkojnë ndjesë Jakup Krasniqit dhe familjes së tij lidhur me këtë veprim.
Faqja zyrtare e Presidencës së Kosovës e ka një rubrikë ku janë të publikuar emrat e ish-presidentëve të Kosovës.
Në mesin e tyre është edhe emri i Jakup Krasniqit si ish-ushtrues i detyrës së presidentit.
Qysh në fillim, Krasniqi në këtë pjesë prezantohej si i arrestuar nga Gjykata Speciale për krime lufte kundër njerëzimit.
“Jakup Krasniqi (i lindur më 1 janar 1951) në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit, është politikan shqiptar dhe ish-President i përkohshëm i Kosovës. Ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjatë Luftës së Kosovës ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në nëntor të vitit 2020 u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës”, thuhej më herët në faqen e Presidencës tek biografia e Krasniqit, përpara ndërhyrjes. /Insajderi.org/