Oda Ekonomike e Kosovës ka prezantuar sot planin për lagjen “Kodrina”, ndërtimi i së cilës pritet të fillojë së shpejti në Prishtinë.
Me këtë rast, Oda Ekonomike e Kosovës bëri hapjen e ekspozitës të projekteve konkurruese si dhe prezantimin e projektit fitues nga Studio Libeskind me seli në New York, meqë rast u diskutua për ndikimin ekonomik të këtij projekti
Nga shtatë projekte të përzgjedhura për hartimin e Masterplanit të këtij kompleksi, studio Libeskind fiton projektin ku në bashkëpunim me kompaninë ’’Tregtia’’ nga Kosova do te bëjnë implementimin në afat kohor prej 10 viteve, raporton Insajderi.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka theksuar se ky është një projekt ku ka dhënë rezultate të mahnitshme dhe mundëson përmirësimin e imazhit të vendit në aspektin urbanistik.
‘’Ky bashkëpunim në mes komunës e sektorit privat është model dhe shembull për të ardhmen. Ky projekt plotëson të gjitha kushtet urbanistike. Është një projekt shembull ku ka dhënë rezultate të mahnitshme. Është një ndër projektet që mundëson edhe përmirësimin e imazhit të Kosovës’’, tha Gërxhaliu.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha se ky projekt do të funksionalizojë një lagje moderne e cila i përmbush të gjitha kushtet për banim.
‘’Nga 15 vitet e fundit Prishtina ka qenë një kantier ndërtimi dhe se nuk ka pasur vizion të duhur. Qëllimi jonë ka qenë që këtë potencial mos ta lëmë dhe të ketë një vizion të zhvillueshëm’’, tha Sejdiu.
Përfaqësuesi i projektit fitues, Stefan Blanch tha se masterplani është fillimi i punës dhe se zhvillimi duhet të jetë i fokusuar në hapa të vogël e të sigurt dhe projekti duhet jetë i motivuar në këtë drejtim.
Bedri Prishtina, pronar i kompanisë ‘’Tregtia’’pohoi se niveli i punës për kompleksin do të ketë 10 vite afat por se me mundësitë që ka kompania, sipas tij punët do të përfundojnë para afatit të paraparë./Insajderi.com