×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    PriFest zbret me “këmbë në tokë”

    Insajderi
    19 April 2016 - 17:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” i është kthyer origjinës. Pas një edicioni të mbajtur në ekzil, si shenjë proteste ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës për shkurtim buxheti, PriFest do të nisë edicionin e tij të 8-të, këtë të premte.

    Por mysafirët e këtij edicioni nuk do të mund të parakalojnë në tepihun e kuq, e as të ngjiten shkallëve të Teatrit Kombëtar, aty ku ka qenë epiqendra e Festivalit, edicioneve të kaluara.

    Ata do të zbresin shkallëve të vogla të amfietarin në Sheshin “Zahir Pajaziti” aty ky në këtë edicion është krijuar “Kinemaja e Hapur”.

    Përpos kësaj, festivali që është “larguar nga Teatri Kombëtar” është zhvendosur edhe në dy sallat në Pallatin e Rinisë, Sallën e Kuqe dhe Ateleja.

    Organizatorët e festivalit thonë se ekziston një tendencë negative e institucionit më të lartë teatror në vend karshi festivalit por që kjo nuk do ta pengojë PriFest-in që ta mbajë siç i ka hije këtë edicion.

    Në këtë formë,  këtë edicion, PriFest është shndërruar në një festival që ka humbur “bazën luksoze” të vendosur para Teatrit Kombëtar por që ka fituar një program të filmave rekord sa i përket numrit.

    Drejtoresha e Festivalit, Vjosa Berisha, megjithatë thotë se ky edicion është një vazhdimësi i të tjerëve, sa i përket kinematografisë.

    “PriFest ka qenë dhe mbetet festival i filmit dhe nuk ka pasur elemente të glamurit”, tha Berisha në në një intervistë përmes emailit.

    Sipas saj, tepihu i kuq dhe të tjera elemente të edicioneve të tjera nuk ka pasur të bëjë me glamurin, por ka qenë si respekt për aktorët dhe regjisorët vendor e ndërkombëtar.

    Para tri viteve, kolektivi artistik “Haveit” kishte bërë një performancë “Je suis Glamur” duke intervenuar në mbrëmjen mbyllëse të festivalit që mbahej në terasën e një hoteli luksoz në Prishtinë, shumë afër Teatrit Kombëtar.

    Por këtë vit festivali ka zbritur me këmbë në tokë.

    Ka sjellë shumë më shumë filma sesa edicioneve të kaluara, më shumë punëtori të filmit dhe më shumë mysafir. Edhe pse lokacionet ku do të shfaqen filmat nuk ofrojnë infrastrukturën bazike për shfaqjen e filmave Berisha thotë se kjo nuk do të paraqesë probleme pasi edhe këtë vit sikurse të gjitha edicionet e tjera, “të gjitha projeksionet teknikisht i udhëheq ekipi boshnjak që udhëheq edhe festivalin e Sarajevës”.

    Gjithçka do të nisë të premten në mbrëmje me një ceremoni hapëse në Kinemanë e Hapur me projeksionin e filmit që trajton temën e emigrantëve e cila është aktuale edhe sot, si pasojë e eksodit të banorëve të Lindjes së Mesme drejt Evropës por edhe eksodin e kosovarëve vitin e kaluar. Kjo dramë ende vazhdon.

    Filmi që do ta hap festivalin quhet “Mediterranea” dhe portretizon rrugëtimin tragjik të emigranëtëve afrikan përmes detit Mesdhe për në Itali.

    “Aktori në rolin kryesor Alassane Sy do të na nderon duke ardhur në Prishtinë në hapje te PriFest”, tha Berisha.

    Përpos këtij filmi edhe mbi 70 të tjerë do të shfaqen deri më 29 prill. Por filmat nuk do të jenë oferta e vetëm në menynë e sivjetme të festivalit.

    “Po ashtu sivjet kemi lansuar Prishtina Kino Kabaret, një aktivitet që zgjat gjatë festivalit që mbledh në Prishtine të rijnë, profesionistë dhe entuziastë nga Kosova, Shqipëria dhe Evropa, e të cilët do të krijojnë se bashku filma te shkurtër dhe dokumentare që xhirohen në Prishtinë dhe që do të shfaqën në fund të PriFest”, thotë Berisha.

    Për drejtoreshën e festivalit, është ironike sesi PriFest këtë vit ka program më të madh se asnjëherë më parë, por ka buxhet  të përgjysmuar nga Ministria e Kulturës.

    “Nuk e kuptojmë vlerësimin e komisionit që ka marrë këtë vendim, por i ftojmë që të vijnë sivjet e te shohin nga afër PriFest-in dhe gjithë aktivitetet përcjellëse. Nuk e kane larg, afro 20 metra deri ne Sheshin Zahir Pajaziti dhe afro 100 metra deri në Qendrën e Rinise dhe Sporteve”, ka thënë Vjosa Berisha.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark