Një prift anglez akuzohet për “shkatërrimin” e Krishtlindjes për një klasë nxënësish të vitit të gjashtë, duke u thënë se Babagjyshi nuk ekziston dhe se prindërit e tyre ishin ata që vendosnin dhurata nën pemën e Krishtlindjes.
Javën e kaluar, prifti anglez, Paul Chamberlain duhej të fliste për lindjen e Jezusit para nxënësve të vitit të gjashtë në shkollën fillore “Lee-on-the-Solent Junior School” në Hampshire, Angli.
Por, disi, ai përfundoi duke folur për ekzistencën e Babagjyshit, një temë për të cilën shumë nga fëmijët nuk ishin ende gati. Ai tha me thjeshtësi se Babagjyshi nuk ishte i vërtetë dhe se ishin prindërit ata që blinin dhuratat dhe hanin biskotat e lëna për të, raporton odditycentral.
Kjo deklaratë, duket se tronditi shumë fëmijë, të cilët filluan të qanin dhe më pas i treguan prindërve për përvojën traumatike. Ministri më pas u detyrua të kërkojë falje ndaj fëmijëve, prindërve dhe shkollës për deklaratat e tij.
“Ju jeni tashmë në vitin e gjashtë, le të jemi realë, Babagjyshi nuk është i vërtetë”, tha Chamberlain para nxënësve, shumica prej të cilëve ishin 10 dhe 11 vjeç.
“Pasi foli për tregimin e Lindjes së Krishtit nga Bibla, ai bëri disa komente për ekzistencën e Babagjyshit”, tha një zëdhënës i Dioqezës së Portsmouth për Mail Online.
“Paul e ka pranuar se kjo ishte një gabim në gjykim dhe nuk duhet ta kishte bërë këtë. Ai kërkoi falje pa rezervë ndaj shkollës, prindërve dhe fëmijëve, dhe drejtori menjëherë shkroi për të gjithë prindërit për ta shpjeguar këtë”, njoftoi Dioqeza.
Disa prindër e përshkruan veprimin e priftit si “të gabuar” ose “të neveritshëm,” ndërsa të tjerë thanë se do të duhej të “shtonin sa më shumë magji” gjatë këtij sezoni festash për të ndihmuar fëmijët e tyre të kapërcejnë traumën.
Ironikisht, është interesante që një njeri i fesë të flasë për ekzistencën e Babagjyshit me fëmijët, duke marrë parasysh provat ose mungesën e tyre për besimet e tij. /Telegrafi/