
Përmendja e humanistes Nëna Terezë dhe këngëtares Rita Ora në Parlamentin e Serbisë nga Princ Charles është cilësuar si skandal nga shumë media serbe.
Kurrir e ka cilësuar si një “provokim ndaj Kuvendit të Serbisë” ndërsa “InSerbia” ka shkruar se Princ Charles ka vënë në pozicion të sikletshëm deputetët serb të cilët nuk kanë reaguar.
Princ Charles në përfundim të vizitës së tij në Serbi, para se të premten të arrij në Kosovë, ka mbajtur një fjalim në Parlamentin e Serbisë në të cilën ka përmendur edhe emrat Nënës Terezë dhe Rita Orës në kontekstin e integrimit të njerëzve nga Ballkani në Britani të Madhe.
Radio Evropa e Lirë citoi Princin Charles të ketë thënë se njerëz si Rita Ora janë shembulli i integrimit të ballkanasve në Britani.
“Njerëz nga Ballkani sot janë të njohur në Britani të Madhe në shumë fusha. Në muzikën bashkëkohore – Rita Ora të cilën e kam dëgjuar me shumë kënaqësi javën e kaluar në Londër”, citohet të ketë thënë Princ Charles në Parlamentin e Serbisë.
Ndërsa media nga Beogradi, “B92” ka raportuar se Princ Charles ka përdorur një thënie të Nënës Terëzë – e cila do të shenjtërohet me 4 shtator nga Vatikani – kur ka përmendur sfidën e kapërcimit të ndasive mes popujve.
“Uniteti është ndërtuar më së shumti me tejkalime. Nëna Terezë ka thënë: ‘Ne mendojmë se ajo çka punojmë është vetëm një pikë në oqean, por oqeani do të jetë më i vogël nëse nuk është pikë’”, citohet të ketë thënë Princ Charles.
Princi i Uellsit pritet të vijë të premten pasdite në Kosovë ku do të pritet në Aeroport nga presidentja Atifete Jahjaga.