
Dita e shtunë për Princin dhe Dukeshën do të jetë tepër e zënë. Pasi kanë aterruar në Prishtinë, të premten në mbrëmje dhe janë takuar me liderët vendor dhe ndërkombëtarë, ditën e dytë në Kosovë do ta nisin me nderimin e të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas agjendës së planifikuar për ardhjen e Princit dhe Dukeshës në Kosovë, të dytë bashkë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga do të nisin ditën duke marrë pjesë në një ceremoni për të të pagjeturit e luftës.
“Lartmadhëria e Tyre do të vendosin lule në Memorialin e Personave të Pagjetur pranë ndërtesës së Kuvendit, në Prishtinë”, thuhet në agjendën e vizitës së Princit Charles dhe Dukeshës Camilla.
Dukesha e Cornwall dhe Presidentja Jahjaga, gjatë ditës do të takohen edhe me të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar udhëhequr nga Presidentja.
Princi i Wales gjatë së shtunës, do të vizitojë edhe Prizrenin ku do të marrë pjesë në konferencën ndërfetare të organizuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.
Lartmadhëria e Tij do të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës në selinë e KFOR-it ‘Film City’ për të përkujtuar personelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të KFOR-it që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.
Lartmadhëria e Saj do të vizitojë “Ideas Partnership” në Fushë Kosovë për të parë se si grupet e margjinalizuara janë duke u ndihmuar përmes fuqizimit arsimor dhe ekonomik.