Në platformën X, ai ka bërë një sërë postimesh për të treguar për këtë bisedë, ku temë kryesore është Kosova.
Madje ai thotë se i ka kërkuar Trumpit që vendi i tij ta çnjohë Kosovën.
“Me Donald Trumpin që fitoi zgjedhjet presidenciale 2024 në ShBA, ka një potencial të ripërtërirë për një zhvendosje nga vendimet e politikës së jashtme që kanë formësuar stabilitetin global. Ndër më të rëndësishmet prej tyre është njohja e Kosovës, vendim ky që mbetet thellësisht i diskutueshëm. Një hap i guximshëm dhe parimor i Donald Trumpit duhet të jetë rishqyrtimi dhe tërheqja e kësaj njohjeje: një veprim që jo vetëm do të korrigjonte një padrejtësi historike, por gjithashtu do të forconte pozitën e Amerikës si një kampione e drejtësisë dhe e shtetit ligjor”, ka thënë ndër të tjera princi serb, Filip.
I njëjti i vë pikëpyetje intervenimit të NATO-s më 1999, e cila ndali gjenocidin serb në Kosovë.
Ai thotë se “pretendimet e shqiptarëve” për gjenocid “ishin kontestuar gjerësisht”, pa thënë se nga kush.
Për Serbinë, ai thotë se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ShBA-ja nën drejtimin e Donald Trumpit, “do të ishte një akt i thellë drejtësie, duke sinjalizuar një angazhim për korrigjimin e gabimeve të së kaluarës”.
Princi serb e lidh më tej rastin e Kosovës me pretendimet territoriale të Rusisë ndaj fqinjëve, duke kritikuar administratat e mëhershme amerikane për “standarde të dyfishta”.
“Tani, me udhëheqjen e Donald Trumpit, mundësia për të çnjohur Kosovën mund të shërbejë si një deklaratë e fuqishme kundër hapave të gabuara të politikës së jashtme të së kaluarës. Një vendim i tillë do të rezononte jo vetëm te populli i Serbisë, por edhe te qytetarët amerikanë të lodhur nga ndërhyrjet që kanë mbjellë destabilitet dhe pakënaqësi jashtë vendit”, potencon princi serb.
Sipas tij, në Kosovë ka korrupsion, dhunë kundër gazetarëve dhe sulme ndaj pakicave etnike. “Ata që pretendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin vlerat e tyre globalisht duhet të marrin parasysh realitetin në Kosovë, ku korrupsioni, dhuna kundër gazetarëve dhe sulmet ndaj pakicave etnike vazhdojnë. Duke tërhequr njohjen, Donald Trumpi mund të dërgojë një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin regjimet që dështojnë të mbështesin të drejtat themelore të njeriut dhe parimet demokratike”.
“Tërheqja e njohjes së Kosovës nga ShBA-ja, jo vetëm që do të adresonte një gabim historik, por gjithashtu do të rriste kredibilitetin amerikan në skenën globale. Ky vendim do të ripërcaktonte politikën e jashtme amerikane dhe do të ndihmonte në rivendosjen e besimit në rendin ndërkombëtar, duke reflektuar vlerat e drejtësisë, integritetit dhe respektit për sovranitetin”.
“Serbia, një komb që ka duruar prej kohësh pasojat e manovrimit ndërkombëtar, u bën thirrje Shteteve të Bashkuara, nën administratën e Donald Trumpit, të qëndrojnë në anën e së vërtetës dhe drejtësisë, duke ndërmarrë këtë hap të guximshëm drejt një bote më të drejtë dhe më të qëndrueshme”, shkroi princi serb, Filip Karagjorgjeviq.