FC Prishtina e ka fituar betejën në KAS me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila pa të drejtë e kishte lënë jashtë Evropës.
Prishtina edhe pse e fitoi Kupën e Kosovës para dy viteve nuk iu lejua nga FFK-ja të merrte pjesë në Evropë, shkaku që nuk i kanë plotësuar disa kritere, kurse vendin e tyre atë kohë e zuri Dukagjini.
Megjithatë, KAS-i tani ka vendosur se Prishtina ka pasur të drejtë dhe që FFK-ja ia ka mohuar pjesëmarrjen në Evropë. “Bardhëkaltërit” kanë njoftuar se do ta dërgojnë çështjen në gjyq.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“FC Prishtina nuk është licencuar pa të drejtë nga FFK – ka vendosur KAS-KOK
KËSHILLI PËR ARBITRAZH SPORTIV (KAS) I KOMITETIT OLIMPIK TË KOSOVËS
Ka marrë VENDIM që Padia e Klubit të Futbollit Prishtina sh.p.k. nga Prishtina me nr. 136/2023, e datës 08.06.2023 e KF Prishtina sh.p.k kundër Federatës së Futbollit të Kosovës – FFK është e BAZUAR.
Anulohet Vendimi me Nr. 539-2, i datës 26.05.2023 i Komisionit të shkallës së dytë i Federatës së Futbollit të Kosovës për licencimin e klubeve për pjesëmarrje në garat e UEFA-së dhe Vendimi 534-2, i datës 19.05.2023 i Komisionit të Federatës së Futbollit të Kosovës për licencimin e klubeve për pjesëmarrje në garat e UEFA.
FC Prishtina njofton se pas këtij vendimi të paligjshëm të Komisionit për Licencim të FFK-s për moslicencim të FC Prishtina, hapen rrugët ligjore për të kërkuar kompensimin e dëmit material, moral dhe prishjen e imazhit të klubit”.