Kërkesa e Bashkësisë Islame të Kosovës, që gjatë planifikimit të zonave të reja urbane në Komunën e Prishtinës, të caktohet edhe numri i xhamive, është refuzuar nga Departamenti për Urbanizëm në këtë komunë.
Këtë e ka bërë të ditur, drejtori i këtij Departamenti, Liburn Aliu, sipas të cilit, Komuna e Prishtinës e ka të pamundur ta caktojë numrin e xhamive në këto zona të reja urbane, pasi “nuk mund të paragjykohet besimi i banorëve që do të jetojnë aty”.
Aliu, në një prononcim për Evropën e Lirë, nuk ka përjashtuar mundësinë që në mungesë të hapësirave legale për kryerjen e riteve fetare besimtaret të organizohet vet në vende ilegale.
“Po, kjo mund te shndërrohet në pengesë se a duhet tash shteti të përkujdeset që të ndajë lokacione dhe të bëjë objekte të tilla, apo janë vet komunitetet fetare ato që organizohen dhe ndërtojnë objekte të tilla. Këto janë çështje të natyrës politike dhe natyrisht që janë të përcaktuara më kushtetutë. Kosova është shtet laik dhe rrjedhimisht shteti e njeh lirinë fetare, por nuk mund të përcaktojë ose rregullojë çështje të besimit. Në anën tjetër, kemi ngecje të rregullimit me ligj se si dhe ku mund të ndërtohen objektet fetare”, ka thënë Aliu, për REL.
Sipas REL, Në Kosovë aktualisht ekzistojnë rreth 750 xhami, ku qytetarët kryejnë ritet e tyre fetare. Në mesin e tyre janë mbi 200 syresh që janë ndërtuar që nga përfundimi i luftës.
Zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se ndërtimi i xhamive të reja është bërë me kontributin e vetë qytetarëve të besimit islam të Kosovës, por edhe me ndihmën e donatorëve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe Arabia Saudite./Insajderi.com