Aktorja e njohur Yllka Gashi e cila prej vitesh jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditëve të fundit ka qëndruar në Prishtinë për pushime bashkë me familje. Sot, ajo ka marr rrugën për ShBA dhe si gjithmonë largimi nga vendlindja dhe malli për të din të shpërthejë ose në lot ose në fjalë që dalin nga zemra e është vështirë me i ndalë.
Aktorja Yllka Gashi e cila vitin e kaluar ka pushtuar zemrat e publikut e kritikëve me nam botërorë me rolin e saj në filmin “Zgjoi”, se ka humbur asnjëherë modestinë e saj e mbi të gjitha dashurinë e saj të madhe për Prishtinën për të cilën ka shkruar gjerë e gjatë sot e ku në secilën fjalë ndihet dashnia e saj për vendlindjen e përshkrimet e gjithë atyre ditëve të kaluara në qytetin e saj janë më shumë se emocionuese.
Shkruan: Yllka Gashi
Prishtinë të du!
E çdo herë që marr rrugë me t’lanë e me u largu prej teje,
Me shku n’shpinë tjetër – përtej Atlantikut,
Ni copë e zemrës pak më thehet,
E e kujtoj qysh haber s’kom pasë me e kuptu mërzinë e gurbetarëve të familjes,
Kur u përlotshin sa herë përshëndeteshin e u nisshin për Evropë
-atje ku veçse e kishin kriju jetën e re e i rritshin fmitë.
Prishtinë të du,
E mendja më shkon shpesh te ti,
Jo që je far qyteti piktoresk ose metropol që ëndërron dikush me jetu n’ty,
Ama je e jemja
Edhe bash hiq s’ka si ti!!!
Me krejt mangësitë që i ki,
Me aq sa ofron,
Me pluhnin e verës e lloqin e vjeshtës,
Trafikun e stërngarkumë,
Rrugët e ngushta,
E krejt behanet që i ki
për mu –
Je e veçantë dhe e bukur!
Prishtinë të du,
Se në ty jetojnë e për ty kontribojnë
E edhe vujnë nga mangësitë tua,
ata që m’i don loçka e zemrës-
familja jeme e plot miq e dashamirë.
T’du,
Se n’zemrën tande jam lindë e rritë, jam shkollu, eduku e kam ndërtu karrierë,
Kam njoftu gjith’far njerëzish,
Me disa prej tyne kam miqësi që koha veç i ka forcu e ju ka dhanë kuptim.
Në ty Prishtina jeme e kam gjetë dashninë,
E në ty m’ka beku Zoti me Ninën!
E në ty e kam shiju të bamit teze e hallë!
Prishtinë t’du,
Se në ty kam përjetu shumëçka të bukur
Po edhe të trishtë,
Se gjenerata jeme që osht rritë në t’90-tat,
I ka përjetu shkollat fillore të ndame e shkollat e mesme nëpër shpia të improvizume,
Largimin e dhunshëm nga puna t’prindve,
Demonstratat e studentëve,
E protestat e nanave të Kosovës me nga një bukë në dorë – n’mesin e tyne edhe mama jeme,
Gazin lotsjellës,
Milicinë e paramilitarët,
‘Racinë’ nëpër kafiqa,
Slloganet “Kosova Republikë”,
Besa, edhe helmimet me ujë në shkolla të mesme -plot prej kësaj gjenerate- i mbajmë n’mend.
Ama, Prishtinë
Unë e gjenerata jeme i kemi përjetu edhe shëtitjet nëpër korzë,
E në “Gradic” Pejton,
Shampitet e Elidës kur ajo ishte ndër të vetmet ambëltore n’qytet,
Platon’ e “Boro Ramizit”,
1 Majin në Gërmi,
“Lluna Parkun” n’Dardani,
Dodonën e “Talentin…”
Orët Letrare në “Fjala”, “Hanin e 2 Roberëve”, në “Koha”,
Kafiqat e Kurrizit,
Burekat e “Bosnes” në pushim t’gjatë t’shkollës,
Mbramjet e semi-maturës te Qafa…
Sendviqat e “Metros” në pauzë gjatë studimeve.
Përjetime t’varfnjakut kish mujtë me thanë dikush tash,
Po krejt këto imtësina
E kan’pasë lezetin e vet,
E janë t’papërsëritshme
Se ti qaq ke pasë takat me dhanë!
Në ty Prishtina jeme,
Ka jetu baba jem i dashtun ma shumë se 50 vjet, t’u t’i njoftë mirë pllamtë e kilometrat
E t’u kontribu në edukimin e dhjetëra gjeneratave,
E prej knaqësive t’mdhaja t’fminisë,
I kujtoj kohët kur m’merrte me veti te berberi në qendër e derisa ai i prente flokët, unë ulesha n’atë karrigen e naltë me kali t’argjentë.
E kur ai e përfundonte qethjen,
Ecshim dorë për dore
e te “3 sheshirat” në njanën prej atyne kioskave te vogla m’blente Kavabona ose Herba.
Çfarë lezeti!!!!
Ma mirë se n’Disneyland!
Prishtinë, unë të du
edhe për arsye se në ty e kam përjetu luftën,
e frikën deri n’palcë
kur me kallasha e tenka na kan’ pëzanë prej teje në 99tën,
Po mandej, çlirimit tand i jam gëzu me krejt qenjen e me autobusin e parë të “refugjatëve” jam kthy në damarët tu.
Të du Prishtinë,
Edhe për përjetimet e
Rinisë së hershme,
Me kaosin e frikshëm të pasluftës
për 4 vjet studime në Fakultetin e Arteve, me kushte jo t’mira,
po me entuziazëm e energji bombastike,
Për rolin e parë në Teatrin Kombëtar,
Punën e parë në KTV,
“Familjen Moderne” në studiot e RTK-së…
Krejt këto-
Kujtime të bukra e t’paharrushme –
Që veç ti mi ke dhuru!
Në ty Prishtinë,
I kemi duru reduktimet qesharake të rrymës e t’ujit me vite t’tana.
Me gjeneratorë që t’i shurdhonin veshtë në krejt anët e qytetit,
Me reduktime t’rrymës 4, 6, 8 e besa edhe 20:4 kanihere.
E ato 4 orë kur vinte rryma, punojshin veç dritat edhe aty-ktu naj “shteker”.
Ama,
Prej dashnisë ndaj teje
e knaqësisë që po t’përjetojmë t’lirë,
gajle se kishim!
Prishtinë,
Ti je shtëpi e shumë njerëzve që m’i don zemra,
Që më merr malli për ta kur jam larg,
Njerëz, për të cilët gëzohem e çlirohem kur e di që janë mirë me shëndet e rehati,
Njerëz, për të cilët shqetësohem e mërzitem, kur nij që ju ka ndodhë ndonjë e papritun.
E nuk po flas veç për familjen e miqtë!
Kur jom n’gjinin tand,
-Edhepse me bon nervoz shumë e më dëshpron shpesh-
Diqysh zemra m’pushon e shpirti sikur m’qetësohet!
Për ty Prishtinë e për njerëzit tu,
Me merr malli,
Shpesh
E shumë!
M’vjen pak inati kur t’shajnë e t’kritikojnë
Ata që jetojnë në ty,
e pak e hiq mundohen me t’përmirësu,
Ose ata që nuk t’i kan përjetu periudhat e stoicismit po kan përfitu prej teje
n’emën t’lirisë e të zhvillimit,
tu t’gulfatë e shfrytëzu në çdo aspekt.
Ti s’ki faj Prishtina jeme e mirë,
Se qytetarinë, edukatën e kulturën e përgjithshme nuk munesh me ja u msu krejtve që jetojnë n’ty.
Ti nuk e prodhon bërllogun prej qiellit, po e ki kontribut prej “qytetarëve” tu.
Mërzitna edhe kur i humbi debatet e s’kom argumente me t’mbrojtë!
Ama çka gjithmonë kom me pasë për ty
e me ty Prishtinë,
osht DASHNIA e dhembshuria!
Qe 7 vjet prej s’largu
T’i përjetoj kënaqësitë,
sukseset,
dështimet,
dëshprimet
E shpresat.
Me ni mallëngjim, që veç ata që s’jetojnë ma n’ty e kuptojnë,
Po në zemër e në mendje t’kom afër përherë e kur përmallohem fort
t’i kujtoj veç të mirat.
Se je e jemja
E s’ka edhe njo si ti!
Prishtina jeme
Të pafsha ma mirë,
Ma të pastër,
Ma të organizume,
Me kerre ma pak,
E gjelbërim ma shumë!
Me ndërtesa ma me shije,
Me pluhun minimal,
Me vende atraksioni për fëmijë, pleq e gra shtatzana,
Me qytetarë të vetëdijshëm që prona publike duhet me u rujtë e mbrojtë se ju takon krejtve.
T’pafsha që po të dojnë e po ta “dinë kimetin” ata që jetojnë në ty e që marrin vendime për ty.
E ti,
Më pritsh me dashamirësi e ngrohtësi si gjithmonë!
Prishtina jeme-
Qyteti i përhimtë,
Me makiatot ma t’mira n’dyje,
Me rininë ma t’bukur në rajon,
Me zemërgjansinë e mikpritjen ma t’madhe që dikush mundet me e përjetu.
Prishtina jeme,
Ku rreh zemra e mamës teme, Donës, Lilit e Adit!
Ku rriten e shkollohen Dini, Lisa, Mali, Omari, Lisi, Marini, Jora…
T’pafsha t’u shkëlqy e t’u lulëzu Prishtinë
se për mu
e shumë t’tjerë si puna jeme,
Ti mbetesh shtëpia që nuk i mbyllë dyrtë kurrë!
Deri herën e ardhshme,
Mirëmbetsh e FALEMNDERIT!