Privatizuesi i Llamkosit kërkon dy vjet burg për mashtrimin 30 milionësh - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Privatizuesi i Llamkosit kërkon dy vjet burg për mashtrimin 30 milionësh

    Insajderi
    08 February 2016 - 15:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Biznesmeni Jeton Sadiku, “me qejf” pranon të shkojë dy vjet në burg për mashtrimet që peshojnë rreth 30 milion euro.

    Propozimin për marrëveshje të pranimit të fajësisë ia ka bërë Prokurorisë në rrugë zyrtare nëpërmjet avokatit të tij, Bajram Tmava.

    Insajderi.com ka mësuar se organit të akuzës i janë dukur pak dy vjet. Është pajtuar për katër vjet burg për ta mbyllur çështjen e mashtrimeve të disa bankave nga privatizuesi i ndërmarrjes “Llamkos”.

    Sadiku akuzohet nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës për mashtrim të disa bankave në Kosovë dhe një në Londër.

    Nga banka londineze ai mori mbi 26 milionë euro kredi që nuk i ktheu kurrë.

    Insajderi.com ka siguruar aktakuzën kundër Sadikut që akuzohet për disa vepra penale, përfshirë falsifikim të dokumenteve. Pjesë e grupit janë edhe Arlind Jupolli, Nezir Klinaku dhe Ilmi Zeqiri.

    nezir klinaku

     

    Viktima më e madhe e mashtrimeve të Sadikut është Standard Bank PLC në Londër e cila në disa raste ia ka dhënë atij mbi 26 milion e 156 mijë euro kredi të cilat nuk i ka kthyer kurrë.

    Këto veprime kriminale të tij, sipas prokurorisë, nuk mund të shlyhen vetëm me dy vite burgim.

    Marrëveshja për pranimin e fajësisë është e lejuar me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës. Ajo aplikohet në rastet kur të akuzuarit pranojnë kryerjen e veprës penale dhe hyjnë në marrëveshje për dënimin. Në këto raste, dënimi është më i ulët.

    Propozimin për pranimin e fajësisë e ka konfirmuar kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.

    “Po kemi pranuar një propozim në rrugë zyrtare, por Prokuroria nuk është pajtuar me atë propozim”, ka thënë Syla për gazetën online, Insajderi.

    Kreditë

    Jeton Sadiku që ka nënshtetësi britanike kishte futur Llamkosin hipotekë në Standard Bank. Banka i kishte dhënë disa kredi që kalonin shumën prej 26 milion eurosh. Kur kredia nuk është kthyer, është iniciuar procedura e marrjes së hipotekës. Ndërkohë, prona është manipuluar në Komunën e Vushtrrisë, në drejtorinë e kadastrit.

    Sadiku akuzohet nga prokuroria se si pronar i kompanisë Coresteel SHPK dhe Coresteel DMCC ka mashtruar dhe i ka shkaktuar dem kreditorit Standart Bank PLC me seli në Londër-Britani e Madhe.

    Kredinë e parë ai e ka marrë më 25 gusht 2011 në vlerë prej 9.457,090 euro. Të dytën më 6 shtator 2011 në vlerë prej 3.000.000.00 eurosh. Të tretën në vlerë prej 1.025.000.00 eurosh e kishte marrë më 4 nëntor 2011. Të katërtën ndërkaq më 30 dhjetor 2011 në vlerë prej 3.500.000 eurosh. Të pestën më 1 nëntor 2012 në vlerë prej 500.000.00.

    Më 25 shtator 2014, kreditorit Standart Bank nuk i është paguar shuma totale prej 26156.060,26 euro sic parashihej me kontratë.

    Mashtrimi i Bankës Kombëtare Tregtare

    Në pikën e dytë të aktakuzës, Jeton Sadiku e Arlind Jupolli akuzohen se në bashkëkryerje me Renata Sadikun e David Hulme kanë mashtruar dhe i kanë shkaktuar dëme Bankës Kombëtare Tregtare – dega Kosovë.

    Sadiku si pronar i kompanisë ‘’Coresteel’’ SH.p.k, në Vushtrri, David Hulme drejtor ekzekutiv i kompanisë ‘’Coresteel’’sh.p.k, Rlind Jupolli zyrtar ligjor dhe agjent i regjistruar i kompanisë ‘’Coresteel’’ sh.p.k dhe Renata Sadiku, kanë lidhur marrëveshjen për mbitërheqje me këtë bankë në vlerë prej 250 000 eurosh dhe janë obliguar se minimum i pengut që duhej të ruhej sipas kërkesës së kreditorit ka qenë 500.000.00 euro. Ata janë vonuar në kthimin e mbitërheqjes në shumën prej 250.00 euro përfshirë këtu edhe kamatat, kurse kanë shfrytëzuar kolateralin e lënë peng në vlerë prej një milion e 140 mijë erosh. David Hulme dhe Arlind Jupolli akuzohen se kanë qenë në dijeni për dëmtimin e kreditorit dhe shitjen e kolateralit të lënë peng duke mos ndërmarrë asnjë veprim.

    Mashtrimi i Bankës Ekonomike

    Jeton Sadiku akuzohet po ashtu për mashtrim të bankës Ekonomike. Me 16 shkurt 2014 ka lidhur kontratë me këtë bankë duke marrë 480.000.00 euro kredi me hipotekë. Partneri i tij David Hulme si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Coresteel SHPK ka qenë garantues i kësaj marrëveshje.

    Të dy e kanë ditur se parcelat të cilat janë lenë si hipotekë P-70202016-02588-2, P-70202016-2, P-70202016-02589-0 dhe P-70202016-02590-1 nuk janë liruar nga hipoteka e mëhershme. Me anë të këtij mashtrimi ata kanë realizuar këtë kredi gati gjysmë milioni euro.

    Dallaveret në Komunën e Vushtrrisë

    Këto mashtrime nuk do të mund të kryheshin pa ndihmën e Komunës së Vushtrrisë. Prokuroria thotë se Jeton Sadiku si drejtor i kompanisë Coreteel SHPK, më 31 dhjetor 2012 ka çregjistruar hipotekën me emër të Standard Bankë me seli në Londër. Ai me anë të dokumenteve të falsifikuara që janë dorëzuar tek zyrtarja Teuta Ademi nëpërmjet zyrtarit ligjor, Arlind Jupolli ka çregjistruar hipotekën.

    Nezir Klinaku – drejtor i drejtorisë për gjeodezi dhe kadastër dhe Ilmi Zeqiri – përgjegjës i sektorit në kadastrës në Komunën e Vushtrrisë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Ata kanë qenë të obliguar që të kontrollojnë nëse janë kryer obligimet ndaj ndaj bankës, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

    Nezir Klinaku ka nënshkruar aktvendimin mbi lirimin e hipotekës se pengmarrësit Standard Bank.

    Ilmi Zeqiri ndërkaq ka përpiluar aktvendimin mbi lirimin e hipotekës, pa i përmbushur obligimet kredimarrësi –Jeton Sadiku si pronar i kompanisë ‘’Coresteel’’ SHPK.

    Falimentimi

    Llamkosi ka falimentuar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë më datën 23 janar të vitit 2015. Gjykata ka caktuar administratorin e ndërmarrjes.

    Falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të Kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” Sh.p.k. ka ndaj kësaj banke.

    “Llamkos” është shitur përmes shitjeve të aseteve me likuidim në muajin gusht 2011 dhe ka qenë nën monitorim për periudhën pesë vjeçare që i bie deri në datën e njëjtë të vitit 2016.

    Blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë euro brenda pesë vitesh (25 milionë euro në fazën e parë, 45 milionë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 30 milionë euro), si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm prej 1861 punëtorëve (437 punëtorë në fazën e parë, 637 punëtorë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 787 punëtorë).

    Mirëpo, blerësi sipas raporteve të monitorimit dhe të Auditorëve të jashtëm, nuk përmbushi zotimet dhe AKP në përputhje me kontratën e shit-blerjes ka aplikuar ndëshkimet financiare për çdo muaj, pas shkeljeve të kushteve të kontratës që janë bërë nga ana e tij.

    Për fazën e parë janë shqiptuar dhe u janë dërguar blerësit gjoba në shumë 1 milionë e 715 mijë e 485 euro. Për këtë shumë të gjobave të shqiptuara si dhe për dëmet e shkaktuara të llogaritura për fazën e dytë dhe të tretë AKP do të dorëzojë kërkesë kreditore tek Administratori i caktuar nga ana e Gjykatës.

    Gjithashtu, AKP do të bëjë kërkesë tek Administratori i Ndërmarrjes që të jetë e përfaqësuar në Bordin e Kreditorëve, i cili pritet të themelohet pasi të përfundojë periudha e paraqitjes së kërkesave kreditore që është caktuar deri 23 mars 2015.

    AKP kishte sqaruar se nuk ka qenë në dijeni për vendosjen e pronave të ndërmarrjes “Llamkos” në hipotekë nga ana e blerësit, por edhe kontrata e shit-blerjes nuk ia ka ndaluar blerësit këtë veprim dhe nuk ka pasur ndonjë kufizim për blerësin mbi vendosjen e pronave të “Llamkos” në hipotekë. Për këtë arsye AKP nuk ka mundësi të bëjë shkarkimin e pronave nga hipoteka, sepse shitja e këtij aseti është realizuar përmes likuidimit. /Insajderi.com

    Nesër: Çfarë thotë përfaqësuesi i Standard Bank? Si janë mbrojtur të akuzuarit? Pse është pajtuar me burgim Jeton Sadiku?

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark