×
Analiza

Problemi me dokumentet e identifikimit – Si do të votojnë mbi 2 mijë të rinj në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Insajderi
25 November 2020 - 17:54
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Xheneta Uka

Këtë të diel, në dy Komuna të Kosovës do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune. Janë llapjanët dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut që do të drejtohen drejt kutive të votimit.

Gjithsej në dy këto komuna janë, 110 mijë qytetarët me të drejtë vote, shkruan Gazeta Insajderi.

Vetëm në Komunën e Podujevës janë 87 mijë e 318 qytetarët që do t’i drejtohen kutive zgjedhorë të dielën e 29 nëntorit, ndërsa prej tyre mbi 1 mijë janë votues të rinj të cilët për herë të parë do ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Lista përfundimtare e votuesve në komunën e Podujevës përmban 87 mijë e 318 votues. Numri i votuesve të rinj dhe numri i votuesve të regjistruar për herë të parë në komunën e Podujevës, e të cilët do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 29 nëntorit, është: 1 mijë e 686 votues”, thuhet në përgjigjet e KQZ-së dhënë Gazetës Insajderi.

Për të votuar, një votues duhet ta ketë me vete njërin prej këtyre katër dokumenteve të vlefshme të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftimin, pasaportën, dokumentin e udhëtimit ose patentën e shoferit.

Mirëpo, në raste se ndonjë votues nuk e posedon njëri nga këto dokumente nuk do të mund të votojë.

Siç dihet tash e tre muaj Ministria e Punëve të Brendshme ka mungesë të materialit për dokumente, përkatësisht letërnjoftimeve dhe pasaportë.

Gazeta Insajderi ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme se si do të votojnë këta votues pas problemeve rreth pajisjeve me letërnjoftim dhe pasaportë.

Në përgjigjen e tyre thuhet se MPB ka njoftuar KQZ-në lidhur me këtë problem dhe se pjesa tjetër i takon KQZ-së.

“Agjencia e Regjistrimit Civil, e MPB-së e ka njoftuar KQZ-në për mungesën e materialit per dokumente, përkatësisht Letërnjoftimeve, ndërsa pjesa organizative dhe procesi i zgjedhjeve i takon KQZ-së”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë Insajderit.

Ndërsa, nga KQZ në një prononcim për Gazetën Insajderi kanë thënë se lista e votuesve të rinj nuk është në kompetenca të tyre por të qendrës së regjistrimit civil.

“KQZ-ja nuk e krijon listën votuese, e cila është ekstrakt i regjistrit qendror civil. Pasi KQZ-ja e pranon këtë listë e bën caktimin e qendrave të votimit për këta votues”, ka thënë Valmir Elezi për Insajderin.

Me të njëjta problem do të përballen edhe 764 votues të rinj të cilët do të votojnë në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Sipas të dhënëve të KQZ dhënë Insajderit lista përfundimtare e votuesve në komunën e Mitrovicës së Veriut është 23 mijë e 313 votues.

“Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve në komunën e Mitrovicës së Veriut përmban: 23 mijë e 313 votues. Numri i votuesve të rinj dhe numri i votuesve të regjistruar për herë të parë në komunën e Mitrovicës së Veriut, e të cilët do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 29 nëntorit, është: 765 votues”, thuhet në përgjigjet e KQZ dhënë Insjaderit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, e cila bazohet në ekstraktin e regjistrit qendror civil. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark