Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe ai i Shqipërisë, Haki Çako, kanë nënshkruar procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në pikë-kalimin kufitar Vërmicë-Morinë.
Këto procedura janë bërë me qëllim që ta thjeshtëzojnë dhe të shpejtojnë kalimin e kufirit duke zbatuar kontrollin e plotë kufitar hyrje-dalje nga secila palë, duke vendosur kabinat e përbashkëta, në dalje për palën kosovare në Morinë dhe për palën shqiptare në Vërmicë.
Gjatë kalimit të kufirit do të zbatohet parimi i kontrollit kufitar në ndalje dy kontrolle. Kjo procedurë lehtëson dhe shpejton kalimin e kufirit, por në të njëjtën kohë garanton siguri në kontrollin kufitar dhe zbaton standardet e kontrollit kufitar, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.