×
  • Lajme
  • Lajme

    “Procesi i blerjes së 30 autobusëve të rinj nuk është pezulluar”, Rama flet pas takimit me përfaqësuesit e BERZH-it

    Insajderi
    10 September 2024 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është takuar sot me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilët ka diskutuar për rrjedhën e reformës së trafikut urban në Kryeqytet.

    Përmes një shkrimi në “Facebook”, ai ka njoftuar se procesi i blerjes së 30 autobusëve të rinj nuk është pezulluar.

    Mes tjerash, Rama ka thënë “I lusim qytetarët që të injorojnë dezinformatat që kanë qarkulluar kinse BERZH ka ndërprerë mbështetjen për reformimin e transportit urban, përfshirë blerjen e autobusëve të rinj“.

    Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

    BERZH ËSHTË E PËRKUSHTUAR NË MBËSHTETJEN E REFORMËS SË TRANSPORTIT URBAN NË KRYEQYTET

    Sot mbajtëm takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bordin e Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Trafiku Urban’. Temë kryesore e takimit ishte rrjedha e reformës së trafikut urban në Kryeqytet.

    Gjatë takimit BERZH rikonfirmoi përkushtimin për të mbështetur reformimin e transportit urban. Po ashtu, BERZH rikonfirmoi se procesi i blerjes së 30 autobusëve të rinj në Kryeqytet NUK ËSHTË PEZULLUAR. U dakorduam të punojmë së bashku për të mbështetur NPK “Trafiku Urban” për të tejkaluar vështirësitë në përmbushjen e kritereve për blerjen e 30 autobusëve të rinj. Jemi të bindur se së shpejti do të vazhdojmë me blerjen e autobusëve.

    Po ashtu, asistenca teknike e BERZH-it, brenda projektit për riorganizimin e linjave të autobusëve, ka nisur në fillim të shtatorit. Nga viti i ardhshëm, do të kemi një rrjet më efikas të transportit, linja të reja për autobusë, dhe korridore të dedikuara për autobusë në qytet, përfshirë rritjen e numrit të autobusëve.

    Në këtë kontekst u pajtuam që kontratat me operatorët privat të autobusëve, për modernizim të flotës së tyre dhe përmirësim të shërbimeve të transportit të nënshkruhen gjatë muajit shtator. Kjo do të sjellë përfitime të shumta për qytetarët pasi do të bëhet fuzionimi i shërbimit publik me privat, qytetarët do të përdorin një biletë të vetme pavarësisht operatorit privat apo publik nga viti i ardhshëm.

    I lusim qytetarët që të injorojnë dezinformatat që kanë qarkuluar kinse BERZH ka ndërprerë mbështetjen për reformimin e transportit urban, përfshirë blerjen e autobusëve të rinj.

    European Bank for Reconstruction and Development (EBRD) in Kosovo

    Bekim Brestovci

    Drejtoria e Shërbimeve Publike

    Trafiku Urban Prishtinë

    #prishtinapraktike💙

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark