“Europol” ka njoftuar për arrestimin e 34 vjeçarit, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, si i dyshuar për prodhimin e monedhave 2 euro false përgjatë dy viteve të fundit, shkruan Insajderi.
34 vjeçari u arrestuar në Prishtinë, më 4 gusht. Ai u arrestua falë bashkëpunimit të autoriteteve kosovare me ato maqedonase, me mbështetje të Euopolit dhe Eurojust-it, thuhet në njoftimin e tyre.
Në Maqedoninë e Veriut bëhet me dije se janë kontrolluar disa lokacione njëkohësisht janë sekuestruar makina për prodhimin e valutës së falsifikuar, mijëra monedha të montuara, unaza dhe të tjera.
“Personi i arrestuar është identifikuar si punonjës i MPB-së në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet u njoftuan për aktivitetet e të dyshuarit përmes një përpjekjeje të koordinuar për shkëmbimin e inteligjencës”, thuhet në njoftim.
Arrestimi i tij u arrit falë ekipeve të përbashkëta hetimore, Prokurorisë Speciale të Republikë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Shkup, me përkrahjen e Eurojust.
Europol njofton se monedhat e sekuestruara gjatë kontrollit do të ekzaminohen më tej, duke i krahasuar me monedha të tjera tashmë të tërhequra nga qarkullimi për të vlerësuar shkallën reale të prodhimit.
Zyra qendrore e BE-së për luftën kundër falsifikimit të euros Europol shërben si zyrë qendrore e Bashkimit Evropian për të luftuar falsifikimin e euros, duke luajtur një rol kryesor në ruajtjen e integritetit të monedhës së Eurozonës.