Prej mbrëmë kur Insajderi botoi rrëfimin e një prej studentëve tashmë të pranuar në Fakultetin e Arteve, dega aktrim, ku tregohet sesi profesorët e këtij fakultetit, aktorët Luan Daka dhe Hazir Haziri kanë fyer një aplikues me fjalën “peder”, asnjë nga këta profesorë nuk ka pranuar të komentojë këtë cështje.
Insajderi gjatë tërë ditës ka provuar që të kontaktoj me profesorët Daka dhe Haziri por asnjëri nga ta nuk është përgjigjur në asnjë prej mënyrave të komunikimit. Insajderi ka provuar t’i kontaktoj Dakën dhe Hazirin nëpërmjet telefonit, edhe privat edhe zyrtar, bashkë me pyetjet e dërguara në emailet e tyre dhe në profilet në Facebook.
Por asnjëri nga ta nuk ka pranuar të kthejë përgjigje.
Daka dhe Haziri bashkë me profesoreshat Agnes Nokshiq dhe Alma Bektashi e kanë përbërë komisionin për pranimin e studentëve në degën e aktrimit, ku gjatë një detyre të dhënë për një nga aplikuesit, profesorët e kishin fyer me fjalën “peder”.
Të dytë edhe Daka edhe Haziri kanë përdorur fjalën “peder” për të komentuar ecjen imituese të një modeli në provimin pranues për degën aktrim.
“S’jemi duke lyp pedera por modela’”, citohet të ketë thënë Hazir Haziri, shpjegon një nga aplikuesit në degën e aktrimit që ka insistuar të mbes anonim.
Krejt këtë ngjarje e ka pohuar edhe profesoresha Agnes Nokshiq, e cila edhe kishte reaguar ndaj përdorimit të kësaj fjale.
Për Insajderin, Nokshiq ka thënë se kolegët e saj kanë përdorur shprehjet në mënyrë të gabuar dhe për këtë arsye ka reaguar.
“Por nuk e kanë përdorur këtë fjalë për të fyer komunitetin LGBT”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kolegët Daka dhe Haziri e kanë përdorur këtë shprehje e cila nuk është aspak e mirë por nuk kanë pasur për qëllim të fyejnë dikë në bazë të orientimit seksual.
“E kanë përdorur, duke menduar t’i thonë ‘mos u picillav’. Ka qenë shprehje e gabuar në vend të gabuar. Se absolutisht nuk i janë qasë një komuniteti të caktuar sepse jemi të kujdesshëm në këtë aspekt”, ka thënë Nokshiq.
Përndryshe gjatë ditë së shtunë së paku edhe 3 studentë të tjerë të degës së aktrimit kanë kontaktuar me Insajderin duke pohuar ngjarjen por edhe duke thënë se një gjuhë e tillë është e zakonshme edhe në ligjëratat e shumë profesorëve të Fakultetit të Arteve./Insajderi.com