
Rasti për të cilin ka raportuar Gazeta Insajderi, ku biznesmeni nga Istogu Ylber Blakaj u rrah nga dy persona e ku njëri kishte edhe armë, shpërfaq edhe një herë problemet serioze në Prokurori.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh se Leutrim Musliu, i dënuari për vepra terroriste dhe njëri nga dy të dyshuarit për sulm është në liri, teksa Naser Rraci ndodhet në paraburgim.
Insajderi raportoi se Musliu ishte në mesin e nëntë të akuzuarit për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Kombëtares Izraelite të futbollit, në ndeshjen Shqipëri – Izrael e zhvilluar në nëntor të 2016.
LEXO EDHE:
Pavarësisht këtij fakti, dhe videos së sulmit, prokurori Ermal Demhasaj në Pejë nuk kërkoi fare paraburgim për të.
Gazeta Insajderi ka arritur të shohë dosjen kriminale të dy të dyshuarve.
Leutrim Musliu më 21 tetor të 2016-ës është marrë në polici si i dyshuar nga organet e rendit për veprat penale si vijojnë: kryerja e veprës terroriste, fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Pos tjerash, ai është cilësuar i dyshuar në të njëjtën datë edhe për shitje të paautorizuar të armëve dhe mbajtje në pronësi të tyre.
Edhe më 2017-ën, Musliu është shoqëruar në stacion për përgatitje të veprave terroriste dhe cenim të rendit kushtetues.
Në anën tjetër, Naser Raci, i cili më vonë ka ndryshuar emrin në Luan Ibrahimi, ka një dosje të trashë kriminale.
Ai më 2005-ën është arrestuar për veprat penale, si: mosmarrëveshje në familje, posedim ilegal i armëve, prishje të rendit publik dhe falsifikim dokumentesh.
Ndërkaq më 2007-ën ai arrestohet si i dyshuar për vrasje dhe ndërmjetësim të arratisjes së të burgosurve.
Raci arrestohet edhe për vepra të tjera penale përgjatë viteve, si: kërcënim, rrezikim të trafikut publik, deklarim të rremë, trafikim me njerëz, kryerje të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit, kanosje, lëndim të rëndë trupor dhe organizim të skemave piramidale.
Këtë vit ai është arrestuar dhe nën hetime për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.
Insajderi raportoi se biznesmeni Ylber Blakaj, i njohur me nofkën “Dila”, ndërsa po qëndronte brenda hapësirave të një lokali në Istog, u sulmua me armë zjarri nga dy të dyshuarit, Naser Rraci dhe Leutrim Musliu.
I dyshuari, Naser Rraci, duke tentuar të shtinte me armë zjarri në drejtim të Blakajt, ishte penguar dhe si pasojë, Blakaj u godit me kondakun e armës, duke mbetur i lënduar rëndë. Në vendin e ngjarjes ishte shkrepur një plumb.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se rrahja ndodhi mbrëmjen e 2 prillit, rreth orës 19:00, ndërsa ende nuk ishte bërë e ditur se cili ishte motivi i sulmit. /Insajderi.org/