Profil | Kush është Bahrije Hyseni kandidatja e LDK-së me numrin 99? – Insajderi
×
  • Zgjedhjet 2025
  • Zgjedhjet 2025

    Profil | Kush është Bahrije Hyseni kandidatja e LDK-së me numrin 99?

    Insajderi
    27 January 2025 - 10:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bahrije Musa Hajdari është e lindur në Ferizaj, më 24 janar 1966. Shkollën fillore dhe atë të mesme ekonomike, drejtimi komercial, i ka përfunduar në Ferizaj, ndërsa në Prishtinë u diplomua në shkenca ekonomike.

    Aktivitetet e saj politike, në mbrojtjen e të drejtave thelbësore dhe kundër padrejtësive të asaj kohe, znj. Bahrije i filloi qysh në kohën e shkollës së mesme, në moshë shumë të re. Si 16 vjeçare, në vitin 1982, u bë pjesë e demonstratave, për të mos e ndalur asnjëherë më shprehjen e pakënaqësisë së saj dhe mbarë popullit, kundrejt regjimit të atëhershëm. Me pjesëmarrje dhe organizim të shumë  aktiviteteve të ndryshme të rinisë së asaj kohe, znj. Bahrije u bë pengesë e regjimit dhe kështu në po të njejtin vit, në pranverën e vitit 1982, u paraburgos për 42 orë nga Sekretariati i Punëve të Brendshme. Privimi nga liria për këto pak orë dhe trysnia e bërë sistematikisht, nuk e zbehën asnjëherë idealin e saj për të kërkuar të drejtat dhe shprehur me zë të lartë brengat e asaj kohe.

    Në vitin 1987, u martua me Hyzer Hysenin, nga fshati Bibaj, Komuna e Ferizajt. Bashkë filluan jetën në po të njëjtin fshat, e sot janë prindër të 3 fëmijëve, Jetmiri (1988), Egzona (1990) dhe Elvini (1998).

    Në vitin 2007, filloi edhe një etapë të re të jetës së saj, duke marrë epitetin ‘Gruaja e parë, pronare biznesi në sektorin e ndërtimeve’ në Kosovë. Ajo themeloi një kompani ndërtimi në Ferizaj, e cila sot menaxhohet nga fëmijët e saj dhe vepron në të gjithë Kosovën.

    Angazhimet e saj politike nuk kanë ndaluar asnjëherë, e kështu në vitin 2013, u emërua si anëtare e kryesisë së nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Fshatin e Bibaj-Fshati i Vjetër. Poashtu përveç saj u emërua edhe si Kryetare e Forumit të Gruas në po të njëjtën nëndegë.

    Në vitin 2017, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Zgjedhjet Komunale, iu fut garës për asambleiste, nga e cila garë doli fituese, duke ushtruar kështu nga viti 2017 deri në vitin 2021 pozitën e Asambleistes Komunale në Komunën e Ferizajt.

    Pas gjithë këtyre angazhimeve të parreshtura, në vitin 2020 u bë pjesë e Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj.

    Në vitin 2022 mori pozitën e Kryetares së Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Ferizajt. Me aktivitete të shumta e konkrete për qytetarët e Ferizajt e posaqërisht gratë e vajzat e kësaj Komune, znj. Bahrie u bë zë i fuqishëm e emër i njohur për të gjithë. Ajo edhe sot shquhet e falënderohet për përkushtimin e madh të saj që ka dhënë në Forumin e Gruas.

    Bazuar në aktivitetet e saj me vite të tëra, emrit të besueshëm që ajo gëzon në rajonin e Anamoravës dhe jovetëm, dhe personalitetit të saj këmbëngulës dhe energjik, znj. Bahrije mori bekimin nga Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Abdixhiku, që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025, të kandidojë për Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, renditur në listë me numrin 99.

    Ajo i është futur kësaj gare e bindur që do të jetë zëri i çdo qytetari e veçanërisht gruaje ferizajase dhe kosovare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark