Vrasësi me pagesë si u vra –Haxhi Ahmeti? - Insajderi
×

Vrasësi me pagesë si u vra –Haxhi Ahmeti?

Insajderi
02 October 2020 - 19:06
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Më 14 tetor të vitit 2018, Haxhi Ahmeti, 61-vjeç, kishte mbërritur nga Gjermania në Gjakovë, vendlindjen e tij.

Por, Ahmeti nuk do të mbërrinte të shkelte brenda shtëpisë së familjes së tij, në Smolicë të Gjakovës, atë ditë.

Ai vdiq duke e hapur derën e shtëpisë, si pasojë e shpërthimit të një eksplozivi.

Eksplozivi që doli të ishte fatal për 61-vjeçarin ishte vendosur ne kutinë postare afër derës së shtëpisë dhe në momentin kur ai ishte afruar, eksplozivi kishte shpërthyer.

Ekzekutuesi i kësaj bombe me telekomandë nuk ishte identifikuar për një kohë të gjatë nga autoritetet e Kosovës.

Por, sipas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i dyshuari për vrasjen e Haxhi Ahmetit është Dodë Gjikolaj, një 41-vjeçar nga Shqipëria.

I dyshuari për vrasjen e Ahmetit dhe për disa vepra të tjera penale u vendos në kërkim ndërkombëtar, sipas një urdhër arresti të lëshuar rreth dy muaj më parë nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Gjikolaj, i cili përveç dyshimeve për vrasjen në Gjakovë, akuzohet edhe për një sërë veprash penale të tjera, u arrestua sot në Gjirokastër të Shqipërisë.

Ai u kap pasditën e sotme derisa po qëndronte në një hotel në lagjen muzeale të Gjirokastrës, qytetit jugor të Shqipërisë.

Para ekzekutimit të Haxhi Ahmetit në Gjakovë më 2018, Gjikolaj dyshohet se më 2017 kishte rrëmbyer Pjetër Narkajn, një biznesmen shqiptar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në Velipojë.

Ai asokohe nuk kishte pranuar kryerjen e aktit, madje as i rrëmbyeri nuk e kishte pranuar se ishte marrë peng nga Doda.

Të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje pranuan se kanë pasur një konflikt për një borxh prej 4 mijë eurosh, nga Narkaj, ndaj Gjikolajt. 

Pavarësisht këtyre deklarimeve, 41-vjeçari Dodë Gjikolaj, lindur në Kurbnesh, Mirditë dhe banues në Velipojë, u akuzua për pengmarrje.

Gjatë ditëve të ardhshme, Gjikolaj pritet të ekstradohet në Kosovë, ku pritet të gjykohet mbi dyshimet për vrasjen e 62-vjeçarit Haxi Ahmeti. /Insajdei.org


OP-ED
Nga Rubrika
Lajme
27 September 2025
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark