Një aksion i Doganierëve të shtetit të martën trokiti në dyert e kompanive, HIB Petrol, Fer Petrol-in dhe Alfa Trade-in nën dyshime për shmangie taksash dhe manipulim me çmime të derivateve.
Nga ky aksion në pranga të policisë kishte rënë edhe biznesmeni nga Drenasi, Mehdi Gjoka, pronar i kompanisë ‘Fer Petrol’.
Gjoka ka një lidhje të afërta me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai është përfituesi i rregullt i tendereve nga qeverisja e Ramiz Lladrovcit.
Kompania “Fer-Petroll” ka triumfuar në secilin tender që kishte aplikuar në Komunën e Drenasit që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së.
Kjo kompani brenda 15 muajve (shtator 2018 – nëntor 2019) i ka fituar 20 tenderë, në shumën totale prej 1 milion e 522 mijë euro. Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” janë kryesisht për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.
Ky biznesmen kishte përfituar tendere nga Komuna e Drenasit edhe para se Lladrovci të bëhej kryetar. Në kohën kur Drenasi udhëhiqej nga Nexhat Demaku.
Përpos tendereve nga pushteti i Demakut, ai kishte përfituar mundësinë e shfrytëzimit të një parcele komuale të rëndësishme.
Komuna e Drenasit ia kishte dhënë në shfrytëzim dhjetëvjeçar pronën komunale kompanisë “Fer Petrol” për ndërtimin e një pike të shitjes së karburanteve.
Pronën në të cilën është ndërtuar pompa e derivateve, Gjoka e kishte futur nën menaxhim pa asnjë konkurrent. Kështu për dhjetë vjet ka fituar të drejtën e pronësisë mbi këtë parcelë.
Por, për këtë përfitim të pronës Gjokës i kishte dalur punë me drejtësinë, shkruan Insajderi.
Më 16 nëntor të 2016, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj afaristit nga Drenasi, Mehdi Gjoka me dyshimet se ka uzurpuar pronën, në të cilën kishte ndërtuar kompaninë e tij për shitjen e derivateve ‘Fer Petrol’
Sipas aktakuzës, Gjoka, si pronar i pompës së benzinës ka uzurpuar pronën e H.B. dhe ka ndërtuar në pronën e tij biznesin e derivative.
Mehdi Gjoka ishte akuzuar për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, ku nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.
Prokuroria e Shtetit, pas mbajtjes së seancave, ka propozuar që Mehdi Gjoka, të shpallet fajtor dhe të dëbohet nga prona e uzurpuar.
Po ashtu, Mehdi Gjoka ishte shpallur fajtor për kanosje gjatë monitorimit të rivotimit në zgjedhjet e mbajtura më 9 janar 2011. Në cilësinë e vëzhguesit, ai kishte kërcënuar një vëzhguese të Rrjetit Ballkanit për Gazetari Hulumtuese.
Gjykata Komunale e Drenasit kishte shqiptuar dënimin prej 2 muajsh me burg, mirëpo Gjoka kishte vendosur që dënimin ta paguaj me gjobë prej 900 euro
Së fundi kompania e Gjokës kishte qenë fituese e një tenderi publik në vlerë mbi 300 mijë eurosh nga pushteti aktual, kryesisht nga Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu. /GazetaInsajderi/