×
  • Lajme
  • Analiza

    Profil | Ky është Izedin Bytyçi, zyrtari që s’e informoi Thesarin për user-in e punonjësit prej nga rrodhën 2 milionë eurot

    Insajderi
    27 October 2020 - 16:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Njomza Salihi

    Izedin Bytyçi, sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës, është akuzuar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, se nuk e ka njoftuar për mbylljen e user-it prej nga rrodhën 2 milionë eurot. I njëjti edhe më herët ishte kritikuar për punësimin e resë së kreut të LDK-së, madje Bytyçi ishte dënuar pasi në një rast tjetër kishte tentuar ta mashtrojë shtetin.

    Izedin Bytyçi është sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Infrastrukturës. Emri i tij është lakuar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

    Ajo ka thënë mbrëmë se ku i fundit është dashur ta lajmërojë Ministrinë e Financave, se një zyrtar certifikues në Ministrinë e Infrastrukturës nuk punon më aty.

    Kjo pasi nga user-i i tij janë certifikuar pagesat prej ku kanë rrjedhur 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit.

    “Ministria e Infrastrukturës në këtë rast ZKA, zyrtari kryesor i Financave, në këtë rast edhe sekretari Permanent është dashur ta njoftojë Ministrinë e Financave, që ky zyrtar më nuk është aty. Apsulutisht kjo është dashur me ndodh brenda ditës”, ka thënë Bajrami, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bytyçi as nuk e ka njoftuar Ministrinë e Financave, por as nuk e ka marrë përgjegjësinë për rastin pas akuzave që kanë shkuar në drejtim të tij.

    “Kjo çështje do të hetohet, pse zyrtarët përgjegjës nuk i kanë ndërmarrë veprimet e veta. Kanë me dhanë përgjegjësi”, ka thënë Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyçi, shkruan Gazeta Insajderi. 

    Insajderin ka shkruar mbrëmë se Zyrtari Kryesor i Financave, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.

    I njëjti, në korrespodencat qe i ka siguruar Gazeta Insajderi, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe ka zbardhur faktin se paratë janë transferuar nga user-ë që nuk i përkasin MI-së.

    “7. Certifikimi është me datë 09/10/2020 ora 12:41 nga Useri FazliuF – i cili User është pjesë e Kërkesës sonë të datës 28.01.2020 është aktiv, por që nga muaji mars nuk e ushtron këtë detyrë sepse është transferuar në NJRPSH-Mitrovicë”, thuhet në e-mail-in e Zyrtarit Kryesor të Financave.

    Zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i këtij viti është transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, ka mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.

    Që nga janari kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit do të duhej të certifikoheshin pagesat nuk është bllokuar edhe pas nëntë muajsh.

    Për hapjen dhe menaxhimin e user-ave përgjegjës është Thesari. Ky institucion që vepron brenda Ministrisë së Financave duhet të njoftohet brenda ditës për secilin zhvillim që lidhet me këtë çështje – e që në fakt nuk ka ndodh njëjtë edhe me userin e punonjësit të këtij institucioni që tash ushtron një detyrë tjetër në Mitrovicë.  

    Por kush është Izedin Bytyçi?

    Bytyçi tetë muaj më parë ishte emëruar sekretar i Përherëshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në kohën kur në pushtet erdhi ish-kryeminsitri, Albin Kurti.

    I njëtji ishte riemëruar sërish në këtë pozitë, në kohën kur pushtetin e mori kryeminsitri Avdullah Hoti.

    Bytyçi para se ta marr këtë pozitë ka qenë edhe sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi.

    Bytyçi ishte kritikuar se nga kjo pozitë pati ndikuar në punësimin e resë të Isa Mustafës.

    Edita Bajrami, gruaja e Besnikut, djalit të ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte angazhuar si eksperte për të ndihmuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rishikimin e Strategjisë Sektoriale, shkruan Insajderi.

    Angazhimin e resë së ish-kryeministrit më 2017 e pati konfirmuar po Izedin Bytyçi, ish-sekretari në MPMS.

    Ai pati thënë se Edita ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Europian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.

    “Është (punësuar) në kuadër të një projekti, Strategjisë së Rishikimit Sektorial të Ministrisë, nuk është punëtore e rregullt e Ministrisë. Aty janë të angazhuar 5-6 ekspertë”, pati thënë Bytyçi, shkruan Insajderi.


    Izedin Bytyçi së bashku me Arban Abrashin | Foto: Facebook

    Sipas tij, bëhej fjalë për një angazhim të përkohshëm, deri në gjashtë muaj, kohë sa pritej të zgjaste procesi i rishikimit të strategjisë në fjalë.

    Më vonë u konstatua se kjo përgjigje nuk ishte e saktë.

    Edita, reja e ish-kryeminsitri Mustafa që tani qeverisë bashkë me Kurtin, ishte angazhuar aty me kontratë për shërbime të veçanta, shkruan Insajderi.

    Kontrata e saj ishte nënshkruar po nga Bytyçi, i cili kishte thënë se “përzgjedhja e ekspertëve nuk ishte bërë nga ministria”.

    Përmes kësaj kontrate për shërbime të veçanta, Edita merrte pagë mujore prej 494, 75 euro në muaj.


    Besnik Mustafa së bashku me gruan e tij Editën | Foto: Facebook

    Izedin Bytyçi mashtroi shtetin, ky dënim i ishte shqiptuar

    Sekretari i tanishëm i qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte tentuar ta mashtrojë shtetin.

    Njeriu që në dy mandate mori poste në ministritë e udhëhequra nga partia Isa Mustafës nuk e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2011, derisa ishte udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, shkruan Insajderi.

    Bytyçi ishte dënuar më 2012 nga Gjykata e Lartë për Kundërvajtje për shkak se e kishte shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

    Ai fillimisht kishte marrë një gjobë prej 2 mijë e 300 euro, vendim ky për të cilin ishte ankuar. Pas rishikimit të vendimit i njëjti ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro./GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark