
U konsideruar si person shumë i rrezikshëm. Me shumë vepra penale si akter kryesorë në një numër të madh të grabitjeve që ndodhën në territorin e Kosovës, pas një muaji në kërkim Ridvan Ademi u kap dje nga Policia e Kosovës.
Gazeta Insajderi
Ridvan Ademi, ka përfunduar sërish në pranga të Policisë së Kosovës. Ai ishte në kërkim që një muaj për një rast të kanosjes që ka ndodhur me kallashnikov në qendër të Podujevës, e ku viktimë ishin zyrtarët policor.
Prangosja e Ridvanit u bë gjatë vikendit pas hetimeve intensive të kryera nga njësitet përkatëse të policisë. 28-vjeçari nga Dobratini i Podujevës pas intervistimit me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Po ashtu është sekuestruar edhe arma automatike AK-47, e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin e kanosjes së zyrtarëve policor.
Kush është Ridvan Ademi?
Kjo nuk është hera e parë kur Ridvan Ademi është arrestuar e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Ai është i njohur për disa vepra tjera për grabitje ku cak ishin bankat, pikat e shitjes së naftës dhe marketet dhe veturat.
Ridvan Ademi, i cili besohet që i përket grupit të Prishtinës (pjesë e grupit me Kastriot Shalën dhe Leutrim Latifin) ishte arrestua edhe në korrik të vitit 2019 në Belgjikë pas kërkesës që kishte bërë atje shteti i Kosovës.
Arrestimi i Ridvan Ademit u bë në Bruksel, teksa zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë se arrestimi i tij u bë në bashkpunim mes autoriteteve kosovare dhe atyre belge.
“Pas një bashkëpunimi profesional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve belge ne Belgjikë është arrestuar një person i dyshuar, ku të njëjtit i janë gjetur në posedim dokument identifikimi të një shteti tjetër, prandaj në bashkëpunim aktiv me autoritetet atje jemi në proces te verifikimit të të gjitha rrethanave përfshirë edhe ekzaminimet e nevojshëm për përcaktimin e identitetit të saktë konform procedurave ligjore”, ka thënë Hoxha.
Policia pati ofruar shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ofrojnë ndihmë për vendndodhjen e tre të dyshuarve për grabitje, Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Ridvan Ademi.
Ridvan Ademi bashkë me Kastriot Shalën e Leutrim Latfin, sa ishin në arrati, ata gjenin kohë edhe të tallen me Policinë e Kosovës përmes disa videove të postuara në Facebook.
Emri i tij ishte përmendur edhe në dokumentarin “Dosja e grabitjeve” i realizuar nga InDoks.
Në këtë dokumentar thuhet se ai ka qenë i përfshirë në shumë grabitje.
“Në këtë dosje të gjatë i është bërë vend edhe Ridvan Ademi, i cili besohet që i përket grupit të Prishtinës, ku bënë pjesë edhe Leutrim Latifi dhe të tjerët. Ai u arrestua në korrik të vitit 2019 në Belgjikë pas kërkesës që kishte bërë atje shteti i Kosovës” thuhet në dokumentar.