Nuk pinte raki, urrente duhanin, fjalimet i ushtronte para pasqyrës dhe i frikësohej vetmisë… Dosja e CIA-s, e ruajtur në mënyrë sekrete plot 60 vjet, zbuloi detaje të reja për Fyhrerin dhe, për herë të parë, zbulon profilin e tij psikologjik.
Për më shumë se 15 vjet, një njeri vazhdimisht i qëndroi afër Adolf Hitlerit. Mu tek ai, Hitleri, nga frika për jetën e tij, gjeti strehim kur më 1923 dështoi puçi nazist. Në tavanin e tij Hitleri i kaloi tri ditë, duke përmendur edhe vetëvrasjen, derisa nuk e dërguan në burgun e Landsbergut.
Ky njeri – Ernst Franz Sedwick Hangstangl – më mirë se gjithkush tjetër, njohu kriminelin më të madh të shekullit XX. Putzi (nofkë e Ernstit) ishte një bavarez korpulent dhe rridhte nga një familje e pasur. U shkollua në Munih dhe mësues pati babain e Heinrich Himmlerit. U shkollua edhe në Harvard. Kur, më në fund, arriti të diplomojë, u inkuadrua në biznesin familjar të tregtisë me gjëra artistike në Manhattan (New York) dhe u shoqërua me Henry Fondan (amerikanin më të dashur të Hitlerit), me Charlie Chaplinin dhe me senatorin e ri Franklin D. Roosevelt.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Putzi ishte në Amerikë, ndërsa pastaj u kthye në Munih. U magjeps me Hitlerin. Financoi Partinë Naziste, në kohën kur asaj i duheshin të hollat më së shumti. Hitleri diti ta çmojë këtë ndihmë dhe shpesh shkonte ta vizitonte Putzin. Në një ndejë tek ai, nën tingujt e pianos, Hitleri u njoh edhe me Eva Braunin.
“KËSHILLTARI SPECIAL”
Më 1933, Putzi u bë zëdhënës i regjimit nazist për mediat amerikane dhe britanike. Ai kishte për detyrë të siguronte ode për Rajhun e Tretë, të cilat i botonte me entuziazëm, por në mënyrë kaotike, për ç‘gjë urrehej nga Goebbelsi. Me kalimin e kohës, Hitleri filloi të dyshojë në besnikërinë e Putzit, duke parandier se ai po e vidhte heshtazi. Nga gazetat amerikane, Putzi merrte honorarë shumë të majmë për artikujt e Hitlerit dhe një të tretën e këtyre honorarëve e fuste në xhepin e vet.
Kur, më 1937, krerët e nazistë i dhanë urdhër që me parashutë të kërcejë në Spanjë, në vlugun më të madh të luftës qytetare spanjolle, Putzi kuptoi se është në rrezik jete dhe arriti të ikë në mënyrë spektakolare në Britani të Madhe, prej ku, pasi filloi Lufta e Dytë Botërore, e transferuan në Kanada.
Mirëpo, Putzi arriti sukses të madh që, duke shfrytëzuar lidhjet nga Harvardi, të kalojë në Washington dhe të bëhet “këshilltar special” i kryetarit Roosevelt. Edhe pse amerikanët shumë shpejt e kthyen në Kanada (prej nga pas luftës e kthyen në Gjermani ku, përkundër të kaluarës naziste, jetoi jetë normale deri në moshën 88-vjeçare), Putzi arriti t’u dërgojë amerikanëve psikogramin e parë autentik të Adolf Hitlerit. Ky psikogram zbulon njeriun që fshihej pas vrasësit masiv.
Kush ishte Hitleri? Çka donte, e çka urrente? Çfarë e interesonte? Çfarë problemesh seksuale kishte? Çka lexonte? Cilët ishin idhujt e tij dhe pse muzika e Wagnerit ndikonte në të sikur drogë?
Plot 60 vjet të plota, CIA ruajti dosjen sekrete. Dosja, zaten, nuk përmban kurrfarë të dhënash sensacionale, pohon dr. Oliver Rathkolb, historian i Universitetit të Vjenës, por ajo është e rëndësishme se, për herë të parë, në të pasqyrohet portreti psikologjik i Hitlerit, bazuar në dëshmitë e njeriut që e ka njohur për së afërmi.
BABAI SADIST
Dosja fillon me një rrëfim të shkurtër për familjen e Hitlerit, për të cilën tashmë dihet se ka qenë incestuoze. Nëna e Hitlerit ishte njëkohësisht edhe gruaja e tij e dajës, gjegjësisht babai i tij, Alois Schicklgruber, ishte dajë i nënës së tij, Klara Polzl.
“23 vjeç më i vjetër se bashkëshortja, Alois Schicklgruber, kishte 53 vjet kur lindi Adolfi. Të gjithë e dinin se kjo bashkëshortësi është e dështuar”.
Alois në dosje përshkruhet si sadist: “Qenin e tij e rrihte deri në atë shkallë sa qeni nuk përmjerrej në tepih. Babai i Hitlerit i rrihte edhe fëmijët dhe – kur ishte i padisponuar – edhe gruan”.
Një situatë e tillë familjare, kanë konstatuar ekspertët e CIA-s, rezultoi te Hitleri me përzierjen karakteristike të narcizmit dhe të kompleksit të Edipit.
Lidhja e fortë me të ëmën ka ndikuar dukshëm në raportin e Hitlerit me gratë dhe – ia ka komplikuar jetën seksuale.
“Dëshmitë flasin se situata seksuale e Hitlerit ishte e pazgjidhshme. Nuk arrinte të gjente atë që kërkonte, ngase i duhej një femër që do t’i shërbente si gjysmëdashnore dhe gjysmënënë”.
I VIRGJËR GJITHË JETËN
Njëmend ishte vështirë të gjendej një femër që do t’i përgjigjej një përshkrimi të tillë, prandaj Hitleri, në ngërçe të frustrimeve seksuale, përditë e më shumë tërhiqej në vetvete.
“Në anën tjetër, Hitleri me dëshirë mbante kamxhikun në dorë, i cili i shërbente si stimulator për shërimin e potencës. Lëvizjet me kamxhik sigurisht lidheshin me dëshirën e tij të madhe, por të fshehtë për të arritur ereksionin, me qëllim që të mund kompleksin e tij të inferioritetit seksual. Është fakt se Hitleri në atë kohë ishte në pubertet. Dhe, i virgjër në plotëkuptimin e fjalës”.
Por, Hitleri nuk kishte probleme me femrat vetëm për shkak të komplekseve seksuale. Siç tregon dosja, diktatori ishte njëkohësisht edhe homoseksual edhe heteroseksual.
“Jeta seksuale e Hitlerit ishte e ndarë në dysh, mu sikur edhe qëndrimet e tij politike. Ai është homoseksual dhe heteroseksual, socialist dhe nacionalist i flaktë, në të njëjtën kohë edhe mashkull e edhe femër”.
Derisa ishin bashkë në burgun e Landsbergut (nga 11 nëntori i vitit 1923 e deri më 20 dhjetor 1924), Hitleri u lidh shumë ngushtë me Rudolf Hesseun. I njohur në elitën homoseksuale naziste si “zonja Anna”, Hesse ishte ndër të rrallët që guxonte ta thërriste me emër Hitlerin. Mirëpo, as kjo lidhje seksuale nuk e kënaqi Fyhrerin, ndoshta nga fakti se nuk ishte e konsumuar.
“Me gjasë, pengesat psikike dhe fizike ia pamundësonin përjetimin e kënaqësisë seksuale”.
Nazëlitë seksuale të Hitlerit përputheshin në mënyrë ideale me imazhin e njeriut të paskrupullt, të cilin e dëshironte për vetveten dhe, në këtë aspekt, nganjëherë, shkonte deri në absurd.
“Kishte kujdes shumë të madh rreth pamjes së vet të jashtme. Prandaj, kurrë nuk e hoqi xhaketën, pavarësisht nga ajo se sa nxehtë ishte. Gjithashtu, kurrë nuk i ka lejuar kujt që të hyjë në banjon e tij dhe ta shohë cullak”.
SQIMATARI PEDANT
Se sa ishte i bindur Hitleri në pamjen e tij të jashtme shembullore, tregon edhe një anekdotë e shënuar në dosjen e CIA-s. Hafnstangl u mundua, më 1923, ta bindteë që të ndryshojë pamjen e mustaqeve të tij, “që së paku t’i lërë të rriten përgjatë buzëve”. Por, Hitleri iu përgjigj i qetë: “Mos u mërzitni për mustaqet e mia! Nëse ato tash nuk janë në modë, do të bëhen, sepse kështu i mbaj unë.”
Hitleri ishte sqimatar i pashërueshëm, prandaj publikisht kurrë nuk ka mbajtur syze, edhe pse gjatë Luftës së Parë Botërore gati qe verbuar për shkak të helmimit me gas.
“E prolongonte vënien e syzave gjatë leximit deri atëherë kur nuk mund të lexonte më. Kryesisht për shkak të sqimatarllëkut të tij, por edhe nga shkaku se mendonte që do të dukej si farë profesori”.
Nuk kishte kurrfarë arsimimi, as që e konsideronte të rëndësishëm atë, ndërsa fakultetlinjtë i urrente me loçkë të zemrës. Nuk njihte asnjë gjuhë të huaj dhe as që ka dëgjuar ndonjëherë ndonjë radio të ndonjë shtetit tjetër, pos transmetimeve gjermane nga Parisi ose nga Moska.
Prejardhja mikroborgjeze reflektohej edhe në qëndrimin e tij ndaj kulturës.
“Hitleri rrallë shkonte në teatër. Nëse dëgjonte muzikë, ishte fjala për këngët e popullarizuara në kafenetë vjeneze”.
Klasikët, si Bach, Handel, Beethoven dhe Mozart, i dëgjonte vetëm kur kjo ishte e domosdoshme. Është e ditur se magjepsej me Richard Wagnerin, muzika madhështore e të cilit e dehte si opium.
Nga librat, më me dëshirë lexonte biografitë e njerëzve të mëdhenj, si: Soloni, Aleksandri i Madh, Sula, Bruti, Cezari, Henriku VIII, Gustav Adolfi, Friedrichu i Madh dhe Napoleoni. Mirëpo, në të gjitha këto rrëfime jetësore kërkonte vijën demagogjike, propaganduese. Neveritej me biografitë ku nuk kishte sadopak rebelim dhe protestë.
PARA PASQYRËS
Hitleri ishte pedant edhe kur përgatiste fjalimet.
“Para dhe pas fjalimeve kërkonte t’i kombinoheshin lëngje në një, me të cilat do t’i zbutej zëri. Rregullisht i kanë dhënë edhe injeksion në qafë. Kur fliste, aq shumë gulçiste, sa që pastaj e mbulonin djersët”.
Fjalimet i ushtronte gjatë para pasqyrës, duke u munduar të fshehë theksin e vet austriak.
“Zëri i tij ishte zë tipik austriak. Kishte zë të vogël, por aq shumë thellohej në fjalim sa i dukej se është më i zëshmi në botë”.
Gjatë bisedave me të tjerët, Hitleri nuk i duronte kundërshtimet. Po qe se dikush merrte guximin t’i kundërvihej, merrte nga Hitleri përgjigje të rreptë. Qoftë edhe po qe se ishte fjala për ndonjë imtësi, Hitleri do ta stërmadhonte atë aq shumë sa që do të humbiste kontrollin dhe e tërë situata do të shndërrohej në skenë shumë të madhe.
TABLETA, JO VERË
Hitleri, edhe në ushqim, ishte njeri i çuditshëm. Diktatori gati kurrë nuk ka ngrënë mish, “shumë rrallë pakëz mish pule me oriz ose salmon të tharë si paragjellë”. Nuk i pëlqenin as rakia e fortë e as duhani. Nuk i pëlqenin as birra e vera, të cilat gati se nuk i përdori më pas daljes nga burgu.
“Në mëngjes ai hante një mollë, pinte një gotë qumësht të nxehtë ose një filxhan kafeje të dobët e pastaj hante bukë me gjalpë e marmelatë. Pas mëngjesit, ai gëlltiste 28 tableta të ndryshme, të cilat ia sillte shërbëtori Julius Schaub, mjek-shkencëtar”.
FRIKA NGA ATENTATI
Derisa hante, me Hitlerin rrinte vazhdimisht edhe mjeku i tij personal. “Mbikëqyrja e mjekut është njësoj e rëndësishme sikur ajo e truprojës së mirë”, thoshte Hitleri.
Nga truproja e tij Hitleri praktikisht nuk është ndarë kurrë, veçanërisht gjatë shëtitjeve triumfale kur masat e sigurisë, me kërkesë të tij, ishin të shtuara deri në maksimum. Policë të panumërt përcillnin pahetueshëm çdo lëvizje në masë.
“Veturat e SS-it në kolonë kanë pasur urdhër të shkelin çdo këmbësor që ndahet nga masa”.
Megjithatë, Hitleri nuk deshi të sillet si tiran i frikësuar, prandaj nuk lejonte që në veturë, anësh, të qëndrojnë rojat e armatosura. Këtë gjë e kishte në qejf italiani Benito Mussolini.
“Hitleri ulej gjithmonë në ulësen pranë shoferit, ku ishte më i sigurti për shkak të xhamit të përforcuar të përparmë”.
Kur shëtiste, para dhe pas tij qëndronin truprojat.
Hitleri kishte frikë të rrinte vetëm, sidomos në terr.
“Në shtrat shtrihej sa më vonë që mundej. Dhe, kur e braktisnin edhe miqtë e fundit, në ora dy a tre të mëngjesit, ose edhe më vonë, bëhej se po i vinte keq që po mbetej vetëm”.
Ruajtja e tij, punë kjo që e kërkonte vetë, me kalimin e kohës u bë problem serioz; ai u bë i burgosur i vetvetes.
“Me dëshirë që të ikën nga burgu të cilin ia imponoi vetvetes, Hitleri shkonte t’i vizitonte miqtë e tij, shkonte në kinema ose shëtiste me veturë. Por, në gjithë këtë gjente edhe vërtetësinë e madhështisë së vet: ‘Pozita ime është e ngjashme me atë të Papës, i cili, për shkaqe sigurie dhe për shkaqe të tjera, është i mbyllur në Vatikan’, thoshte”.
MESIA
Hitleri nuk e krahasonte veten vetëm me Papën, por edhe me figurat e mëdha historike, si Friedrichu i Madh, Oliver Cromwell dhe Napoleoni. Bile-bile, e krahasonte veten edhe me Mesian, qoftë vetëm për gjermanët.
“Nusja ime e vetme është populli gjerman, thoshte disa herë, duke parafrazuar citatin biblik për kishën si të vetmen nuse të Krishtit”.
Ishte i besimit katolik, por, pas daljes nga burgu, ku në librin “Mein Kampf” vuri themelet e ideologjisë së vet, megjithatë kuptoi se kishën e kishte konkurrencë. Me një taktizim të shkathtë, arriti ta bëjë për vete jo vetëm kishën katolike (ipeshkvit austriakë, për shembull, e përshëndetën haptazi Anschlussin, bashkimin e Austrisë me Gjermaninë), por edhe kishën protestante. Krerët kishtarë ngritën zërin kundër Hitlerit vetëm atëherë kur bombat shkatërruan qytetet austriake dhe gjermane, ndërsa miliona ushtarë ranë në fushëbeteja.
Hitleri, i sëmurë shumë, përditë e më tepër mbyllej në vetvete. Trupin ia dërrmoi sëmundja e Parkinsonit, e mundonin gazrat dhe e mundonte lukthi. I luajtur mendësh, më 30 prill 1945, bën vetëvrasje.
TË GJITHA SËMUNDJET E HITLERIT
PASARDHËSIT E FUNDIT TË HITLERIT JETOJNË NË NEW YORK: NUK KEMI FËMIJË SEPSE DUHET TË SHUHET FARA JONË