Instituti GAP ka bërë të ditur se urdhri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, do t’i prekë përreth 18 projekte aktive në Kosovë.
Sipas GAP-it, përfituesit kryesorë të këtyre projekteve janë institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civila.
“Disa prej tyre kanë filluar që para pandemisë dhe shumica prej tyre zbatohen nga kompani amerikane e disa më të vogla nga organizata vendore. Përfituesit kryesorë përfshijnë institucione publike si komunat, ministritë, agjencitë e pavarura, universitetet, gjykatat, e po ashtu mediat, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile”, thotë GAP’i përmes një njoftimi.
GAP njofton se vlera e projekteve është përreth 156 milionë dollarë.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja. /Insajderi.org/