Projekti 3 milionësh në Podujevë anulohet sërish - Pjesa e tokës ku planifikohej ndërtimi është në proces gjyqësor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Projekti 3 milionësh në Podujevë anulohet sërish – Pjesa e tokës ku planifikohej ndërtimi është në proces gjyqësor

    Insajderi
    22 April 2025 - 15:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Që nga viti 2023, anulimi i parkingut nëntokësor pretendohej se ishte bërë shkaku se kompanitë nuk i plotësonin kushtet. Por me anulimi e fundit del të jetë se një pjesë e tokës ku planifikohej ndërtimi është në proces gjyqësor. Ky projekt parashihet të kushtonte rreth 3 milionë euro. Insajderi ju sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Para dy viteve, më 8 maj 2023, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kishte njoftuar se kanë filluar procedurat për ndërtimin e parkingut nëntokësor. Shuma për këtë projekt ishte parashikuar të jetë rreth 3 milionë euro dhe thuhej se do të ketë kapacitet me mbi 250 vend parkingje.

    Lokacioni për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Podujevë ishte caktuar në qendër të qytetit, konkretisht, përballë objektit të komunës së Podujevës (Sheshi “Ali Ajeti”).

    Mirëpo, që nga maji i vitit të kaluar, e deri tani, projekti për ndërtimin e parkingut nëntokësor, është anuluar për më shumë se tri herë.

    Me 11 prill, është njoftuar sërish se është anuluar aktiviteti i prokurimit për ‘ndërtimin e parkingut nëntokësor’ në Podujevë.

    Anulimet e mëparshme, ishin bërë me arsyen se kompanitë ofertuese nuk i kanë plotësuar kushtet e tenderit.

    Madje edhe nga komuna e Podujevës, për Insajderin në vitin 2024 kishin thënë se arsyeja e anulimeve është sepse Operatorët Ekonomik që kanë aplikuar, nuk i kanë plotësuar kushtet.

    “Së pari dua të sqaroj se Ndërtimi i parkingut nëntokësor në Podujevë është planifikuar të bëhet me partneritet publiko-privat. Komuna e Podujevës i ka zhvilluar të gjitha procedurat si dhe ka marrë leje nga Këshilli ndër-ministror për realizimin e këtij projekti. Arsyeja pse ende nuk është lidhur kontrata për realizimin e këtij projekti është sepse Operatorët Ekonomikë që kanë aplikuar nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e tenderit, kanë mungesë dokumentacioni apo mungesë të informacioneve të kërkuara. Së fundmi para pak ditësh është anuluar përsëri zhvillimi i aktivitetit për ndërtimin e parkingut nëntokësor“, kishte thënë zëdhënësi për media në komunën e Podujevës, Fatri Zhitia.

    Mirëpo, në anulimin e fundit, thuhet tjetër gjë.

    Toka ku parashihet të ndërtohet parkingu, është në proces gjyqësor.

    “Një pjesë e pronës në të cilën është caktuar të bëhet parkingu është në proces gjyqësor. Deri me
    një vendim të ri të gjykatës anulohet procedura e prokurimit”
    , thuhet në anulimin e tenderit.

    Gazeta Insajderi u ka dërguar pyetje sërish komunës së Podujevës, se si qëndron puna që tani anulimi bëhet për shkak të procesit gjyqësor, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark