Projekti me vlerë prej 570 mijë euro në Shtime, fillon të degradohet rruga që Qemajl Aliu i VV'së e kishte përuruar para katër muajve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Projekti me vlerë prej 570 mijë euro në Shtime, fillon të degradohet rruga që Qemajl Aliu i VV’së e kishte përuruar para katër muajve

    Insajderi
    17 December 2024 - 14:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Para katër muajve Qemajl Aliu i Shtimes, bashkë me ministrin Liburn Aliu kishin përuruar projektin me vlerë prej 570 mijë eurove. Ani pse kanë kaluar vetëm katër muaj, rruga e përuruar ka filluar të degradohet. Opozita në Shtime thotë se po ndodh si shkak i punimeve dhe menaxhimeve të dobta. Insajderi ju sjell detaje

    Gazeta Insajderi

    Para katër muajve, Qemajl Aliu i Shtimes kishte përuruar rrugën ’17 shkurti’ në Godanc të kësaj komune.

    Në përurimin e kësaj rruge kishte marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili kishte thënë se ky investim ka rëndësi për shkak se lidhë fshatrat e pjesës lindore të Malësisë, duke u krijuar mundësi të lidhen drejtpërdrejt në magjistrale pa pasur nevojë ta ngarkojnë qendrën e qytetit.

    Vlera e këtij projekti kishte qenë 570 mijë euro.

    “Përurohet megaprojekti i premtuar – Rruga “17 Shkurti” në vlerë 570 mijë euro Me Ministrin Aliu e shumë bashkëqytetarë edhe nga mërgata që i falënderoj pa masë, përuruam megaprojektin – Rruga “17 Shkurti”. Plot 570 mijë euro janë investuar në këtë trase të rëndësishme që përshkon fshatrat Godanc-Gjyrkoc e me ndikim pozitiv për të gjithë Komunën e Shtimes”, kishte shkruar Qemajl Aliu.

    Mirëpo, vetëm pas katër muajve, kjo rrugë ka filluar të dëmtohet rëndë.

    Opozita në këtë komunë kanë reaguar, duke publikuar edhe foto të gjendjes momentale të kësaj rruge.

    “Rruga “17 Shkurti”, e përuruar vetëm 4 muaj më parë, tashmë është dëmtuar rëndë. Ky investim prej 570 mijë eurosh, që duhej të shërbente si shembull i punimeve cilësore dhe kujdesit ndaj qytetarëve, është shndërruar në një pasqyrë të qartë të dështimit të Komunës së Shtimes dhe kryetarit Qemajl Aliu, nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje”.

    PDK’ja në Shtime, e quan menaxhim të dobët dhe neglizhencës nga qeverisja e kësaj komune.

    Ky projekt i deshtuar nuk eshte vetem një çështje teknike; është tregues i mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës nga ana e udhëheqjes komunale. Si është e mundur që një rrugë e ndërtuar nga fillimi të pësojë dëmtime kaq serioze brenda një periudhe kaq të shkurtër?

    Për më tepër, kjo tregon një model të keq të menaxhimit të dobët dhe neglizhencës nga qeverisja e Vetëvendosjes në Shtime. Ndërkohë që qytetarët presin projekte të qëndrueshme dhe cilësore, përballen me dështime që i rëndojnë edhe më shumë financat dhe jetën e përditshme“, thuhet në reagim.

    Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje në komunën e Shtimes, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark