Veturat e komunës së Shepjtim Bulliqit të Lëvizjes Vetëvendosje tash e tutje do të pastrohen në Prizren.
Kjo pasi tenderin që peshon mbi 9 mijë euro e ka fituar kompania GEO Group Ing me bazë qytetin jugor të vendit, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo i bie se veturat zyrtare të Podujevës duhet të bëjnë rreth 230 kilometra rrugë nga Podujeva në Prizren dhe anasjelltas që të pastrohen, ashtu siç e parasheh kontrata ndërmjet komunës së Podujevës dhe kompanisë GEO Group Ing e cila është nënshkruar më fillim të muajit maj.
Për këtë tender ka reaguar edhe Qëndrim Softolli, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Në mungesë të autolarjeve në Llap, Komuna e Podujevës i jep tender për larjen e veturave të saj, kompanisë nga Prizreni. Meqë kjo kompani nuk paska njësi në Podujevë, veturat e komunës duhet me i ba 230km (kthyese) për me shku me u pastru”, ka thënë Softolli, shkruan Gazeta Insajderi.
Këtë prokurim publik ai e ka krahasur me një rast të ngjashëm për të cilin thotë se ishin caktuar specifika konkrete.
“Ndërsa para disa ditëve për tenderin për servisim të automjeteve zyrtare ishte caktuar kusht që servisi mos të jetë më larg se 10 km dhe për këtë arsye tenderi i është dhënë shokut te Bulliqit”, shkruan tutje Softolli në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Pas shkrimit të Gazetës Insajderi ka reaguar i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Kur është bërë lajmi se operatori ekonomik për larjen e automjeteve zyrtare të Komunës së Podujevës ka bazën në Prizren, është anashkaluar qëllimshëm një fakt shumë i rëndësishëm – marrja në shfrytëzim të “Auto Larje Rremi” në Podujevë nga fituesi i kontratës për të ofruar shërbimin”, ka shkruar Bulliqi në Facebook, postim të cilin më pas e ka fshirë.
Por, sipas dokumentit zyrtar të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kontrata nuk ka gjasa të nënkontraktohet për shembull nga ndonjë kompani në Podujevë, shkruan Gazeta Insajderi.
Këtë fakt, Bulliqi e ka quajtur gabim teknik.
“Gjatë inicimit të procedurave të prokurimit për këtë tender është bërë një lëshim teknik nga Zyra e Prokurimit”, thotë Bulliqi, shkruan Gazeta Insajderi.
Ky nuk është tenderi i vetëm që Bulliqi ia ka dhënë kompanisë nga Prizreni.
E njëjta që tash do të merret me larjen e veturave zyrtare të Komunës së Podujevës, dikur kishte furnizuar me pemë dhe perime çerdhen e qytetit të Podujevës.