×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokurori Berisha tregon pse e hudhi poshtë kallëzimin penal të gazetares që u sulmua nga roja e Kurtit

    Insajderi
    02 August 2024 - 11:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kastriot Berisha ka hedhur poshtë kallëzimin e penal të gazetares, Blerta Dalloshi, e cila në dhjetor të vitit të kaluar u sulmua fizikisht nga truporja e kryeministrit Kurti, Bardhyl Rrustemi. Për këtë Insajderi ka kërkuar përgjigje prokurori i rastit.

    Berisha ka thënë se pas analizimit të të gjitha provova ka dalë në përfundimi se nuk ekziston dyshimi se truproja e Kurtit ka kryer ndonjë vepër penale.

    As keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe as lëndim i lehtë trupor.

    “Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit pas analizimit të të gjitha provave që i janë bashkangjitur kallëzimit penal, duke përfshirë pamjet e bashkangjitura në CD nga e dëmtuara, deklaratën e të dëmtuarës, deklaratën e dëshmitarit B.B., shkrimet e publikuara në Medie, deklaratat e të dyshuarit B.Rr., raportin e Drejtorisë së mbrojtjes së afërt të datës 29.03.2024, raportin përfundimtar të hetimeve me rekomandimin për lëndën disiplinore, të dt. 27.03.2024,  ka ardhur në përfundim se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer vepër penale sepse nuk janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe as elementet e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Prokurori po ashtu ka sqaruar se në asnjë moment nuk ka vlerësuar se gazetarët nuk kanë të intervistojnë figurat publike pa aranzhim paraprak, por që bazuar në prova nuk ka arritur të vërtetojë që i dyshuari ka pasur qëllim ta lëndojë gazetaren.

    “Për sqarimin tuaj, Prokurori i Shtetit për asnjë moment nuk ka vlerësuar se gazetarët nuk kanë të drejtë të intervistojnë figura publike pa aranzhim paraprak të intervistave, mirëpo Prokurori i Shtetit nuk ka arritur të vërtetojë dashjen si element të veprës penale nga veprimi i së cilës i është shkaktuar lëndimi trupor të dëmtuarës, e gjithashtu në bazë të video incizimit nuk vërtetohet se i dyshuari ka pasur për qëllim ta lëndojë gazetaren”.

    Duke mos u lëshuar në sqarime tjera, ka përmendur faktin që pala e dëmtuar mund të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Apel.

    “Për më tepër, në bazë të dispozitave ligjore të KPPRK-së, çdo person i dëmtuar, në raste të hudhjes së kallëzimit penal, mund ta shfrytëzoj të drejtën e ankesës në Prokurorinë e Apelit, andaj Prokuroria Themelore në Prishtinë, në këtë fazë nuk mund të lëshohet në sqarime të tjera sa i përket kësaj çështjeje”.

    Ashtu edhe do të ndodhë, AGK ka njoftuar se gazetarja sot nga në orën 14:00 do të paraqesë ankesën e saj.

    “Ju njoftojmë se nesër, 02.08.2024, nga ora 14:00, Anëtarja e Bordit të AGK-së, gazetarja e TV Klan, Blerta Dalloshi – Berisha, do të paraqesë në Prokurorinë e Apelit, ankesën kundër vendimit të prokurorit, Kastriot Berisha, që ka hedhur poshtë kallëzimin penal për sulmin e mbrojtjes së afërt të Kryeministrit Kurti, Bardhyl Rrustemi, ndaj saj”.

    Ndaj këtij vendimi të prokurorit, ka reaguar Juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila ka thënë se aktvendimi për hudhjen e kallëzimit penale është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Europës dhe është qartazi anues kah i dyshuari dhe jo nga mbrojtje e viktimës dhe drejtësia.

    Gazetarja, Blerta Dalloshi u sulmua në dhjetor të vitit të kaluar nga truproja e Kurtit, në prezencë të tij.

    Në videon e postuar nga vetë gazetarja shihet se ai e ka shtyer atë duke ia kapur krahun me forcë, dhe sipas saj, i njëjti ka ndalur edhe kamerën me të cilën po xhironin.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark