Një grua rreth moshës 35-vjeçare është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj sot rreth orë 18:00, para repartit të Gjinekologjisë.
Gazeta Insajderi mëson nga burimet e sigurta se 35 vjeçarja (Hamide Magashi) që u vra sot nga ish-bashkëshorti i saj (Sokol Halili) kishte qenë në muajin e nëntë të shtatzënisë.
Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se ndaj Sokol Halilit ka disa raste të paraqitura në organet e hetuesisë për dhunë në familje.
“Ka pasur të raportuara disa raste të dhunës në familje, por detajet ende nuk i di”, ka theksuar Beqiri.
Tutje, prokurori shtoi se në vendin e ngjarjes kanë gjetur tri gëzhoja të plumbave, që supozohet se shtatzëna është qëlluar tre herë.
Ai ka theksuar se i dyshuari është në kërkim dhe se për të është lëshuar urdhërarrest.
Shtatzëna 35-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka qenë në proces të ndarjes.
Ajo është qëlluar para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, të mërkurën në mbrëmje.