Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë dënuar ërcënimet që zëvendës-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli ka marrë pas rastit të sekuestrimit të mbi 1 ton drogë në Pejë.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), dënojnë ashpër kërcënimet e bëra përmes rrjeteve sociale ndaj prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, njëkohësisht Zëvendëskryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Ersan Qavolli, të cilat vijnë si rrjedhojë i punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit”, thuhet në njoftim.
“KPK dhe ZKPSH, theksojnë se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme, andaj ua bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli dhe do t’i ofrojnë mbështetje të plotë për punën e tij në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”.
Më 28 shtator 2024, u bë e ditur se në një aksion në Sferkë të Pejës u kap mbi 1 ton drogë dhe u arrestua një i dyshuar.