Prokurori i rastit Dorjan Juniku, ka dhënë detaje pas rastit që ndodhi në Pejë ku një e moshuar u sulmua nga infermieret.
Ai tha se lidhur me rastin janë angazhuar dy prokurorë.
Megjithatë, ai shtoi se të dyshuarat që janë arrestuar nga ky rast janë Aurona Pelaj dhe një tjetër me inicialet A.R.
“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftoj se pas pranimit të informacionit të parë lidhur me rastin që ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, nga kryeprokurori jemi angazhuar dy prokurorë dhe kemi vazhduar me të gjitha veprimet ligjore dhe ashtu që në mënyrë intensive e në mënyrë efikase, kemi arritur të arrestojmë dy të dyshuarat me inicialet A.R dhe A.P, të dyshuara që kanë kryer rastin penal të sulmit, respektivisht veprën penale dhënia e ndihmës në rastin e kryerjes së sulmit”, tha ai.
Ai gjithashtu shtoi se nuk kanë informacione për të gjendjen e së moshuarës që u sulmua nga infermierët në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.
“Në këtë fazë jemi ende duke punuar dhe ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, por s’do të thotë që nuk do të zgjerohemi. Për momentin nuk kemi informacione për gjendjen e të moshuarës. Do të marrim të gjitha veprimet në rastin e të dëmtuarës. Dhe na duhet deklarata e saj”, tha ai para gazetarëve.