Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, do të dëshmojë sot para Komitetit të Senatit për Inteligjencë, i cili po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Komiteti tha se paraqitja e Sessions do të jetë e hapur për publikun.
Ai do të përballet me pyetje për takimet e padeklaruara me zyrtarët rusë dhe për shkarkimin e shefit të FBI-së, James Comey, nga presidenti Donald Trump.
FBI po bën po ashtu hetime për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA.
Sessions është zyrtari më i lartë i Qeverisë amerikane që dëshmon para Komitetit të Senatit, në lidhje me çështjen ruse.