Prokurori i Shtetit u përgjigjet katër letrave të Thaçit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokurori i Shtetit u përgjigjet katër letrave të Thaçit

    Insajderi
    11 October 2016 - 19:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përmes një njoftimi për medie, Prokurori i Shtetit, konfirmon se dje ka pranuar katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

    Ky institucion thotë se kërkesat nga katër letrat e Thaçit, do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

    “Andaj, Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës është në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se si të arrihet deri te një situatë e tillë, tashmë ka kohë që janë diskutuar modalitete brenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nga kjo edhe rrjedh se kurdoherë që një kërkesë është në pajtim me objektivat dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, kërkesat e tilla do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

    Prokurori i Shtet thotë se ka filluar në muajin janar të këtij viti, hetimin e krimeve të luftës, të ndodhura në fshatet: Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniq, Grashtica dhe Krusha e Madhe. Ka thënë se janë lëndë në të cilat po punojnë prokurorët intensivisht për përfundimin e tyre.

    “Ndërsa, më 08.01.2016, KPK ka caktuar dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Luftës, me qëllim të rritjes së resurseve brenda Prokurorisë Speciale, e me fokus të posaçëm në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës, kështu tashmë PSRK ka në punë gjithsej 167 raste me 456 persona, nga prokurorët e EULEX-it janë transferuar 69 raste me 218 persona tek prokurorët vendor në Departamentin e Krimeve të Luftës në kuadër të PSRK-së”, thotë zyra e Prokurorit të Shtetit.

    Megjithatë, Prokurori i Shtetit ka thënë se në letrën e Thaçit janë përmendur disa krime të cilat janë gjykuar më parë nga gjykata kompetente dhe se janë mbyllur rastet. Ky institucion thotë se sipas ligjeve në fuqi, për disa raste është e pamundshme hapja e sërishme e hetimeve,

    “Sidoqoftë, tërheqim vërejtjen se një pjesë e krimeve që supozohet se janë kryer, tashmë janë gjykuar nga gjykata kompetente dhe parimi NE BIS IN IDEM, parim ky i vendosur në dispozitën e nenit 4 të KPP-së, pamundëson hapjen e sërishme të hetimeve kurdoherë kur ato tashmë kanë marrë një epilog nga ana e një gjykate”, thotë Prokurori i Shtetit.

    Ndërkaq, Prokurori i Shteti ka bërë të ditur se në të gjitha ato raste ku ka hapësirë për veprim, ata do të veprojnë me gjithë forcën e ligjit dhe janë zotuar se do të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime.

    Presidenti Hashim Thaçi doli dje në një konferencë për media nëpërmjet të cilës tregoi se ka nisur katër letra në drejtim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës së Kosovës, presidenti në letrën e parë ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës, në letrën e dytë ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme.

    Ndërsa, në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

    E në letrën e 4-të  katërt, presidenti Thaçi ka thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark