Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë kanë zhvilluar sot dy aksione në disa lokacione.
Njëri aksion i cili u zhvillua në tri lokacione të komunës së Lipjanit ka përfunduar. Pas aksionit janë arrestuar dy persona për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërsa aksioni i dytë për mashtrim është ende duke vazhduar.
Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.
Përmes një njoftimi për media, Prokuroria ka bërë të ditur se në aksioni e parë janë gjetur armë të gjata dhe municion.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe gjykatën kompetente, nga bastisja e realizuar sot, në tri lokacione, në Komunën e Lipjanit, janë gjetur e sekuestruar:1 AK-47 me 10 fishekë, karikatorë, 1 Pushkë e gjatë gjysmë-automatike, 1 Pistoletë -Zoraki (me gaz) dhe 1 Pushkë e gjatë automatike”.
Personat me inicialet B.B. dhe Rr.B, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sipas KPRK-së, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.