Pas thirrjes së një ministri shtetëror, prokuroria dhe policia ndërmorrën veprime flagrante ndaj portalit Insajderi për punën e tyre të publikimit të marrëveshjes së fshehtë mes qeverisë dhe prodhuesit të vaksinave anti-Kovid, Pfizer.
Abit Hoxha
Presioni ndaj medias po shtohet në Kosovë. Lajmi i mirë është që sipas Reporterëve pa Kufij – një organizatë që monitoron lirinë e medias globalisht dhe përcakton “sasinë e lirisë” në këtë kontekst, në Kosovë nuk ka asnjë vrasje të gazetarëve, asnjë vrasje të punëtorëve të mediave dhe nuk ka asnjë gazetar-qytetar të vrarë. Kjo në vete përbën lajm të mirë. Ndërsa lajmi i keq konsiston në atë çka nuk shihet në këtë vlerësim.
Presioni ndaj medias në Kosovë po shtohet në kuptimin klasik. Së fundi, pas thirrjes së një ministri shtetëror, prokuroria dhe policia ndërmorrën veprime flagrante ndaj portalit Insajderi për punën e tyre të publikimit të marrëveshjes së fshehtë mes qeverisë dhe prodhuesit të vaksinave anti-Kovid, Pfizer.
Sipas Reporterëve pa Kufij, “Gazetarët Kosovarë dhe media ekspozohen në një ambient armiqësor i cili përfshinë sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, presion për vet-cenzurë dhe mungesë të transparencës për pronësinë e mediave. Mediat me situatë sensitive financiare janë të ndjeshme ndaj influencës politike, dhe si resultat i ndikimit të pandemisë, shumë gazetar kanë ndaluar shtypin e gazetave.”
Në vitin 2021 Kosova listohet si vendi i 78-të në këtë rankim- tetë vende më poshtë se në vitin 2020. Normalisht, ky rankim është në krahasim global dhe nuk varet ekskluzivisht nga Kosova por edhe nga ndodhitë tjera. Vendet tjera përparojnë dhe Kosova duhet të ua lëshoj vendin. Në regjion, Bosnja dhe Hercegovina mbetet kampione në vendin e 58-të, ndërsa Kroacia qëndron në vendin e 56-të. Kosovën e lënë prapa disa shtete interesante në tranzicion. Për shembull, Gjeorgjia e cila rankohet në vendin e 60-të edhe pse ka probleme më të mëdha se Kosova në aspektin rregullativ të medias, apo Sierra Leone me nje kontekst politik të ngjashëm post-konflikti sikurse Kosova, me një administrim të Kombeve të Bashkuara e cila pat probleme me ligjin e vitit 1965 ku kriminalizohej shpifja dhe ofendimet e medias. Me de-kriminalizimin e shpifjeve dhe ofendimeve, Sierra Leone u ngrit nga vendi i 85-të në atë të 75-të. Kosova gjithashtu lë pas disa shtete në regjion. Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali I Zi janë në dhjetëshen nën Kosovën. Gjithashtu disa shtete të Bashkimit Evropian si Hungaria janë nën rankimin e Kosovës.
Reagimi i ministrit Vitia ishte të thërras prokurorinë të hetoj rastin dhe prokuroria ndërmorri masa nga fundi; E tha fjalën e fundit të parën duke thirrë gazetarët në biseda informative dhe vetëm pas presionit të madh të publikut, hoqi dorë nga hetimi i gazetarëve. Verprimi i qeverisë dhe i Prokurorit është flagrant. Kosova mbron burimet e gazetarëve me ligj, dhe mbron sinjalizuesit poashtu me një infrastrukturë ligjore adekuate.
Problemi, megjithatë, nuk përfundon me ´heqjen dorë nga hetimi´- fatkeqësisht. Gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve tanimë është normalizuar në sferën publike. Në media sociale, gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve që kritikojnë pushtetin po vrazhdësohet dhe po merr përmasa të mëdha. Vetëm para disa muajsh, gazetari Valon Syla u sulmua për opinionin e tij dhe dënimi i sulmuesit ishte i barabartë me një rrogë mesatare të vendit ku ai jeton- në Zvicër. Pra, ishte dënim prej rreth 300 eurosh në kontekstin Kosovar. Gazetarët sulmohen shumë shpesh në Kosovë dhe prokuroria harron lëndët derisa ato të parashkruhen. Gazetarit Shkumbin Kajtazi iu dëmtua vetura nga të shtënat me armë zjarri dhe ai kurrë nuk u ftua nga prokuroria apo gjykata të informohet për rastin e tij. Gazetari Visar Duriqi u sulmua në hyrjen e banesës së tij dhe iu shkaktuan plage serioze dhe sulmuesit vazhdojnë të enden të lirë në Kosovë.
Rastet e lartëpërmendura janë vetëm maja e ajsbergut të problemeve. Gjuha e urrejtjes në media është inspiruar në pjesën më të madhe nga spektri politik dhe është e motivuar politikisht- për përfitime politike. Beteja për kontrollin e narrativave politike dhe praktika e kundërshtimit të qeverisë është zhvendosur në gjuhën e papërshtatshme në media sociale dhe kjo prodhon medoemos dhunë. Gazetarët janë shënjestra e parë e kësaj gjuhe të urrejtjes.
Në fund, liria e mediave nuk jepet apo njihet nga shteti. Shpesh në debate, individë të caktuar, duke përfshirë gazetarë, debatojnë se media duhet të rregullohet, ofendimet duhet të kriminalizohen, shpifjet duhet të futen në cilësi të veprave penale edhe më tutje. Harrohet fakti se liria nuk jepet apo njihet nga shteti por garantohet nga gjykatat. Shteti është palë interesi në këtë relacion.
Shkrimi fillimisht është publikuar në S`bunker.