Prokuroria: Ende s’e kemi pranuar raportin e autopsisë për vdekjen e Agon Zejnullahut - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria: Ende s’e kemi pranuar raportin e autopsisë për vdekjen e Agon Zejnullahut

    Insajderi
    08 July 2025 - 13:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Insajderin se ende nuk e ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

    Në një përgjigje zyrtare, ky institucion ka deklaruar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se raporti mjeko-ligjor është një nga elementët kyç për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, deri në këtë fazë, nuk ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore lidhur me rastin e viktimës A.Z.,” thuhet në përgjigjen për Insajderin.

    Në lidhje me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë. 

    Raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

    Gazeta Insajderi ka siguruar një video ekskluzive, ku shihet se zyrtarët policorë i hidhnin ujë Zejnullahut për ta këndellur.

    Më pas në vendngjarje erdhi autoambulanca dhe e vendosën në lese Agon Zejnullahun.

    Ai ishte nën pranga tërë kohën.

    Alban Zejnullahu, ka treguar se vëllai i tij Agon Zejnullahu, kishte shenja të mëdha në trup.

    Sipas tij kishte 20 shenja duke pretenduar se mund të kishte edhe gjymtyrë të thyera.

    “Ka pasur mbi 20 shenja në trup. Vetulla ka qenë e çarë, balli me shenja dhe ka pasur goditje në qafë. Ka shenja shumë të theksune në bri sa mendoj se i ka të thynë, këmbët i ka pasur me gunga. Nuk ka ndonjë pjesë të trupit që nuk ka pasë goditje”, tha ai në një prononcim për Insajderin.

    Alban Zejnullahu tha se zyrtarët policor që u arrestuan dje, ishin edhe në emergjencë kur familjarë kanë shkuar atje pasi kanë marrë lajmin për vdekjen e tij.

    Ai tha se policët i njeh personalisht dhe nuk i shprehen ngushëllime

    “Policët e arrestun i kemi pa në emergjencë kur kemi shku. Shumicën prej tyre i njoh personalisht ama atë nate mbajshin distancë, as për me më shpreh ngushëllime nuk janë afru. Përveç njanit”, tha ai.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark