Ismail Morina, ose i njohur nga të gjithë si Ballisti, tifozi që ngriti flamurin autokton në ndeshjen Serbi-Shqipëri, në stadiumin “Partizani” të Beogradit, rrezikon dy vite burg për akuzën e prodhimit dhe armëmbajtjes pa leje.
Prokurori Gjergj Tako i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës dënimin me 2 vjet burg, vendim që pritet të merret më 14 korrik. Në pretencën e saj, prokuroria ka kërkuar, që në rast të një dënimi të Morinës, vitet të konvertohen në shërbim prove.
Morina u prangos më 7 korrik 2015 së bashku me 3 shokët e tij, 24 orë para ndeshjes Shqipëri-Serbi e cila u luajt në “Elbasan Arena” dhe asokohe ai pranoi se e mbante armën për vetëmbrojtje, shkruan gazeta shqiptare Shekulli.
Pas arrestimit gjykata e Apelit e la Morinën me masë sigurie detyrim paraqitje dhe ai po gjykohet në gjendje të lirë. Ndërkohë për tre shokët e tij është kërkuar nga 6 muaj burg secili për mos kallëzim krimi.