Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar që dy të dyshuarve, të cilët sulmuan fizikisht kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin t’u caktohet masa e paraburgimit.
Në kërkesën e saj, prokuroria thekson se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, duke përmbushur kështu kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet në kërkesën e Prokurorisë të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar Dukagjin e Korab Lulaj.
Dukagjin Kërveshi, avokat i tij tha se Muhaxherin kishte duke pirë kafe me një familjar të tij dhe se në largim e sipër është sulmuar nga dy persona.
Ndërsa arsyet për sulmi besohet se lidhet me punën e tij zyrtare.
“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejrare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare. Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar Kërveshi.