Sot mbahet senaca gjyqësore ndaj Lutfi Dervishit, drejtorit të klinikës “Medicus”, i cili u arrestuar dje nga Policia e Kosovës, pasi ndodhej në arrati që nga vendimi për ekzekutimin e dënimit me burg.
Insajderi merr vesh nga burimet e saj, se Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për Dedrvishin.
Avokati i Dervishit, Valon Hasani e konfirmoj se senca do të zhvillohet nga ora 14:00, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Unë dje kam marrë një telefonatë nga gjykatë lidhur me mbajtjen e kësaj senace. Mirëpo nuk kam ende asgjë të shkruar”, tha Hasani për Insajderin.
Hasani tha se nuk e dinë në bazë të çfarë urdhri arresti është arrestuar klienti i tij.
“Urdhëri i arrestit ishte ndaluar me vendimin e fundit të Gjykatës Supereme, kështu që nuk e dimë se si është arrestuar nuk e kemi as idenë më të vogël në cfarë baze ligjore pasi që nuk na ka tregu askush”, tha Hasani.
“Kërkesa për urdhër-arrest dhe flet-arrest ndërkombëtarë është kërkuar prej prokurorit të EULEX-it për Lutfiun dhe djalin e tij”, ka thënë Besa Domi, zëdhënëse e EULEX-it.
Urologu, Dervishi ishte dënuar në vitin 2013 me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ndërsa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit. /Insajderi.com