Në orët e pasdites së sotme, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka zbarkuar në disa pika të laboratorit “Avicena”. Gazeta Insajderi raportoi se arsyeja e këtij aksioni lidhet me dyshimin se ky laborator se ka lëshuar certifikata të falsifikuara për nevoja të procesit të patentë shoferëve.
Këtë raportim të Insajderit e konfirmoi edhe prokurori i Prokurorisë Themeloren në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, Besnik Jakupi.
“Po, me urdhëresë të gjykatës është. Unë e kam ba kërkesën, çertifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshu prej pikave që nuk kanë pas licencë”, tha për “Betimi për Drejtësi” prokurori i rastit- Besnik Jakupi.
Jakupi shtoi se rasti ka të bëjë me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i kundërligjshëm i veprimtarisë farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçshme të falsifikimit”.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Ju konfirmoj se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë është duke realizuar një operacion policor në nivel vendi. Pas përfundimit, apo raportimeve nga tereni do te njoftoheni për detajet apo rezultatet e operacionit”, ka deklaruar Hoxha.
Theksojmë se Gazeta Insajderi që nga 11 shtatori ka kërkuar përgjigje nga “Avicena” lidhur me këto dyshime, por të njëjtit nuk janë deklaruar.
Edhe sot, Insajderi ka provuar të bie në kontakt me pronarët e këtij laboratori, por të njëjtit sërish nuk e kanë hapur telefonin.