
Një vrasje ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj të Ferizajt, ku një 40-vjeçar mbeti i vdekur.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar sot se i dyshuari me iniciale B.R. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja”.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në bashkëpunim të plotë me Policinë dhe njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari me iniciale B.R. është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Vrasja’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës (I.R.) është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion.
Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se është duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështjeje penale.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pranë gjykatës kompetente.