
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me Tatimin”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.P., dhe B.B., për shkak se ekziston dyshim i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me Tatimin’’ nga neni 308, paragrafi 1,2 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Po ashtu, është marrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj të pandehurve: A.P., A.R., A.J., G.GJ., M.Z., M.B., M.R., M.Z., N.B., S.T., V.K., XH.H., I.L., B.B., si dhe F.P. për veprat penale ‘’Shmangia nga tatimi ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ ‘’Mashtrimi në detyrë’’ dhe ‘’Shmangia nga tatimi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., gjatë muajve Janar- Mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësi të pronarit të bisnesit ‘’B.K.,’’AG, me dashje ka përdorur ‘’Dokumentet e rrejshme’’, konkretisht njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro të lëshuara nga biznesi ‘’B.BB’’ sh.p.k., me personin përgjegjës të pandehurin B.B., se kinse ka kryer ndërtimin e hotelit ‘’Lakeside’’ në Vërmicë-Prizren me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëme matriale në vlerë prej 3,449,016.61 €.
Poashtu, i pandehuri B.B., gjatë muajve Janar-Mars 2020 në Prishtinë, në cilësi të personit përgjegjës të biznesit ‘’B. BB’’ sh.p.k me dashje dhe me qëllim të mundësimit që biznesi ‘’B.K., AG’’ pronë e të pandehurit F.P., që t’i shmanget pagesës së tatimit në vlerë prej 3, 449,016.61€, i ka lëshuar gjithsej njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro kinse për punët e ndërtimit të hotelit Lakeside në Vërmicë/Prizren edhe pse ndërtimi nuk ishte kryer nga ky biznes, duke i shkaktuar dëm matrial të dëmtuarës Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në vlerë prej 3, 449.016.61€, ndërsa vetë duke i lëshuar këto fatura fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro.
“Me këto veprime të njëjtit kanë kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin’’ sipas nenit 308 të KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe te dënohen sipas ligjit.”