Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L. R, I cili në vitin 2014 i ishte bashkuar organizatës terroriste Shteti Islamik.
Siç njofton prokuroria, i pandehuri kishte kaluar në mënyrë ilegale kufirin Turqi – Siri, dhe është vendosur në një kamp ushtarak në qytetin Jarabulus – Aleppo të Sirisë, i udhëhequr nga grupi terrorist ISIS, ku ka qëndruar rreth dy javë, dhe gjatë kësaj kohe kishte ndjekur ligjërata mbi Sheriatin dhe rregullat e ISIS-it.
“Më pas ishte dërguar në një kamp ushtarak në qytetin Rakka të Sirisë të udhëhequr po ashtu nga grupi terrorist ISIS”, njofton prokuroria.
I pandehuri L.R., më vonë ishte dërguar në qytetin Falluxha të Irakut, i kontrolluar po ashtu nga grupi terrorist “ISIS”, ku kishte kryer trajnimin ushtarak një ditor mbi përdorimin e armëve të zjarrit dhe më pas me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë mjekësore ushtarëve të plagosur ishte dërguar në një nga spitalet e këtij qyteti, dhe gjatë shërbimit të tij si pasojë e sulmeve ajrore mbi objektin e spitalit i njëjti kishte marr plagë të rënda trupore, thuhet në njoftimin e prokurorisë./Insajderi.com