Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
Prokuroria thotë se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.”
Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor.
Lidhur me këto dyshime ka reaguar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Insajderin se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare është bërë sipas akteve nënligjore.
Ai tha se KQZ do të marrë një vendim përkatës dhe meritor pas shqyrtimit të situatës.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb, sqarojmë se do të vlerësohet nëse kjo është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor,” ka thënë Elezi për Insajderin.
Gazeta Infokus ka raportuar se në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.
Sipas raportimit, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku ai drejton misionin diplomatik.